E ftuar në emisionin “Pardon My French” me Jonida Aliçkollin dhe Lei Krajën në Top Albania Radio ka qenë artistja e mirënjohur, Fifi. Ajo ka zbuluar më shumë detaje nga jeta e saj, karriera dhe suksesi që ka arritur përgjatë viteve dhe gjithashtu ka treguar disa sekrete në lidhje me albumin e ri që do të sjellë dhe jo vetëm…

A ndikohet Fifi nga lajmet që qarkullojnë në median e shkruar?

Është gënjeshtër nëse thua që nuk ndikohesh. Është hipokrizia më e madhe e një individi që pyetet nëse ndikohet dhe nëse i sheh dh përgjigjet duke thënë ‘jo’. Të gjithë i shohim, të gjithë i komentojmë ndonjëherë edhe e anashkalojmë pak, por që na ngel një traumë e vogël prej komenteve sidomos atyre negative. Kur ka komente pozitive ne vetëm i bëjmë ‘scroll’ dhe pse në fakt me to duhet të merremi. Sa i përket kësaj gjëje, po merrem pak me komentet e njerëzve, por kam ardhur në një pikë që më acarojnë ose më mërzisin në ato minutat e para pastaj ia kam marrë dorën dhe i kaloj, pas një periudhë i procesoj dhe i lë të shkojnë. 

Fifi u shpreh se ecën shumë me energji dhe Jonida e pyeti nëse kjo gjë funksionon edhe në lidhje me bashkëpunimet që ajo ka, jo vetëm në miqësi dhe në marrëdhënie, por edhe në bashkëpunime? E ndjen kur energjia do të jetë e mirë mes dy artistëve?

Patjetër, po. Këto projektet e fundit i kam pasur disa bashkëpunime, me Lumin, me Luizin, me Ermal Fejzullahun, me KIDDA, edhe te projekti me MUMA-n jashtëzakonisht jam kënaqur, kemi pasur një proces shumë interesant të krijimit të këngës. MUMA ka shkruar më shumë se unë tëk kjo këngë. Ka qenë një nga rastet e rralla ku unë kam thënë ‘ok po të dëgjoj’.