Këngëtarja e famshme, Rita Ora, ka vendosur që të flasë për në periudhë të errët të jetës së saj, kur pasiguritë për pamjen fizike i rënduan mendjen dhe vetëvlerësimin.

Teksa ishte e ftuar në podkastin, “Happy Place”, artistja shqiptaro-britanike zbuloi se në fund të të njëzetave ndjeu se nuk përmbushte pritshmëritë e shoqërisë për ‘trupin perfekt’.

“Fillova të sëmuresha shpesh, nuk kisha energji dhe nuk ndihesha mirë me veten. Nuk kujdesesha për trupin tim. Dhe pastaj erdhi mendimi: ‘Nuk jam aq e dobët sa të tjerët – prandaj jam e shëmtuar’. Sot më duket tronditëse që e besoja këtë”, u shpreh ylli i muzikës.

Në bashkëpunim me markën Dove dhe projektin “Self Esteem”, Rita theksoi rëndësinë e përballjes me versionin e mëparshëm të vetes.

“Është si të takosh atë vajzën e vogël që ishe dikur dhe t’i thuash: ‘Ti je shumë më e bukur se ç’mendon’. Të gjithë meritojmë ta ndiejmë këtë”, vijoi këngëtarja e famshme.