Një histori e pazakontë trashëgimie po zhvillohet në Itali, pas vdekjes së një ish-kamionisti nga Padova, i cili në vitin 2019 fitoi 220 milionë euro në lotarinë kombëtare, një nga çmimet më të mëdha në historinë e lojës. Burri, i lindur në vitin 1970, ndërroi jetë papritur më 28 qershor. Meqë nuk kishte fëmijë, prindër apo trashëgimtarë të tjerë ligjorë, pasuria e tij e madhe i kaloi bashkëshortes së dytë, e cila u bë trashëgimtarja universale.

Por sipas legjislacionit dhe praktikës gjyqësore italiane, ajo tashmë mund të jetë e detyruar të paguajë një shumë mujore për ish-gruan e të ndjerit. Bëhet fjalë për një “asigjencë trashëgimore”, e cila u takon ish-bashkëshortëve në kushte të caktuara, nëse ata janë në nevojë ekonomike, kanë përfituar më parë pension ushqimor pas divorcit dhe nuk janë rimartuar.

Ish-gruaja, një 53-vjeçare nga Varese, kishte marrë pas divorcit një pagesë mujore prej rreth 6300 eurosh. Pas vdekjes së ish-bashkëshortit, ajo iu drejtua një shoqate juridike për të kërkuar vazhdimin e mbështetjes financiare, ndërsa shuma e re e kërkuar vlerësohet rreth 5 mijë euro në muaj. Pas fitimit të “jackpot”-it në vitin 2019 gjatë një udhëtimi pune në Lodi, ish-kamionisti ndryshoi tërësisht jetën e tij.

Ai la punën, nisi investime të ndryshme dhe bleu banesa e automjete të reja. Në atë periudhë ai ishte ndarë faktikisht nga gruaja e parë, por divorci ligjor u finalizua më vonë. Më pas ai u martua me partneren e dytë më 24 korrik 2025 dhe çifti u vendos në Padova. Pas vdekjes së tij dhe mungesës së trashëgimtarëve të tjerë, bashkëshortja e dytë trashëgoi të gjithë pasurinë, por bashkë me të edhe detyrimet që parashikon ligji.

Eksperti i të drejtës familjare Francesco Marino shpjegoi për agjencinë AGI se detyrimi për këtë lloj pagese i kalon trashëgimtarit kur plotësohen kushtet e përcaktuara nga ligji, përfshirë gjendjen ekonomike të ish-bashkëshortit dhe mungesën e një martese të re.