Një ushtar i forcave speciale amerikane është arrestuar dhe akuzuar për përdorim të informacionit të klasifikuar me qëllim përfitimi financiar. Ai dyshohet se ka realizuar fitime të mëdha në platformën e basteve “Polymarket”, duke vënë baste mbi një operacion sekret ushtarak. Sipas autoriteteve amerikane dhe mediave ndërkombëtare, ushtari 38-vjeçar Gannon Ken Van Dyke dyshohet se ka fituar rreth 410 mijë dollarë duke parashikuar rezultatin e operacionit të fshehtë, që lidhej me arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.

Hetimet tregojnë se pak para nisjes së operacionit, ai kishte hapur llogari në “Polymarket” dhe kishte vendosur disa baste me vlerë totale rreth 32 mijë dollarë, duke përdorur informacione të brendshme për lëvizjet ushtarake. Autoritetet amerikane thonë se bastet e tij ishin të lidhura me skenarë si hyrja e forcave amerikane në Venezuelë dhe zhvillimi i operacioneve që çuan në kapjen e Maduros.

Pas përfundimit të operacionit dhe konfirmimit të ngjarjes, fitimet e tij u rritën ndjeshëm, duke arritur rreth 410 mijë dollarë, të cilat më pas dyshohet se u transferuan në një portofol kriptovalutash jashtë vendit. Prokuroria federale e SHBA-së e akuzon ushtarin për keqpërdorim të informacionit të klasifikuar, mashtrim dhe transaksione të paligjshme financiare, ndërsa nëse shpallet fajtor ai mund të përballet me deri në 60 vite burg.

Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, kanë reaguar publikisht për herë të parë që nga kapja e tyre nga forcat amerikane. Çifti i cili është mbajtur për gati tre muaj në një burg federal në Brooklyn, deklaroi se janë mirë, të palëkundur dhe të qetë. “Jemi mirë, të palëkundur, të qetë dhe në lutje të vazhdueshme”, thuhej në një postim të shpërndarë në llogarinë e Maduros në rrjetin X.