Një jackpot prej 223.2 milionë eurosh ka kthyer në një betejë ligjore fatin e një bankieri nga Oggiono, në provincën e Lecco-s, në Itali. Burri fitoi shumën marramendëse me një biletë vetëm 5 euro, por tashmë përballë tij është gruaja nga e cila është divorcuar më herët, e cila kërkon një pjesë të konsiderueshme të parave.

Sipas raportimeve të Corriere della Sera, gruaja pretendon se ka të drejtë mbi 50% të fitimit, pasi pavarësisht ndarjes faktike, çifti nuk e ka formalizuar ligjërisht divorcin. Historia nisi më 11 shtator, kur bileta e blerë në Oggiono që kushtoi vetëm 5 euro rezultoi fituese e jackpotit prej 223.2 milionë eurosh. Fituesi, i cili punon si bankier, thuhet se ua kishte treguar lajmin disa miqve të tij. Informacioni më pas u përhap dhe mbërriti edhe te bashkëshortja e tij, e cila jeton me prindërit në Frosinone, më shumë se 600 kilometra larg.

Avokatët e gruas argumentojnë se ajo ka të drejtë mbi gjysmën e shumës, pasi regjimi ligjor i pasurisë së përbashkët mes bashkëshortëve vazhdon të jetë në fuqi. Çifti është ndarë faktikisht, por nuk e ka përfunduar procedurën ligjore të ndarjes dhe sipas avokatëve, kjo do të thotë se fitimi mund të konsiderohet pjesë e pasurisë së përbashkët. “Gjysma e këtyre parave është e imja”, pretendon gruaja, e cila përmes avokatëve ka kërkuar një marrëveshje me ish-bashkëshortin.

Ajo ka propozuar që ndarja të formalizohet përmes negociatave të asistuara, duke kërkuar një pagesë mujore prej 8 mijë eurosh, ose një pagesë të menjëhershme prej 80 milionë eurosh. Sipas përfaqësuesve të saj ligjorë, kjo shumë do të ishte më e ulët se gjysma e fitimit neto të burrit, e cila vlerësohet në rreth 179 milionë euro. Ndërkohë, protagonisti kryesor i historisë nuk është shfaqur publikisht dhe ende nuk ka marrë paratë e fituara.

Avokatët e gruas besojnë se ai mund ta kundërshtojë pretendimin, duke u mbështetur te fakti se çifti është i ndarë prej kohësh. Megjithatë, sipas tyre, jurisprudenca italiane ka përcaktuar se fitimet nga lotaritë dhe lojërat kombëtare mund të përfshihen në regjimin e pasurisë së përbashkët të bashkëshortëve, edhe në rastet kur bileta është blerë me paratë personale të vetëm njërit prej tyre. Në këtë rast, çështja pritet të varet nga statusi juridik i martesës dhe momenti kur ndarja ligjore konsiderohet e përfunduar. Deri atëherë, 223.2 milionë eurot mbeten në pritje, ndërsa fituesi duhet të përballet jo vetëm me fatin e jashtëzakonshëm të lotarisë, por edhe me një betejë të mundshme ligjore për pasurinë.