Fituesi i edicionit të kaluar të Festivalit të Këngës në Eurovision, Nemo, do të performojë sonte në finalen e edicionit të 69-të të këtij konkursi muzikor, i cili mbahet në Bazel. Edhe pse Nemo më parë i akuzoi organizatorët e Festivalit të Këngës në Eurovision se nuk i mbështetën mjaftueshëm muzikantët që kundërshtuan pjesëmarrjen e Izraelit, ai do të shfaqet në skenë sonte. Në prova ai ishte i veshur me një fustan të gjatë të bardhë që i ngjan një fustani nusërie. Ai mbante edhe një kapelë. Në një intervistë me BBC-në, ai deklaroi se fitorja ia ktheu jetën përmbys në një mënyrë pozitive.

“Gjëja më e rëndësishme për mua ishte se fitova shumë vetëbesim si artist. Kjo i shton një ndjesi relaksimi procesit krijues, sepse e di që mund t’i besoj vetes kur bëhet fjalë për të shkruar dhe interpretuar këngë”-tha ai. Ai është personi i parë jo-binar që fiton konkursin e këngës në Eurovision. Rikujtojmë se vendet nga gjysmëfinalja e dytë e Festivalit të 69-të të Këngës në Eurovision që arritën në finale janë Lituania, Izraeli, Armenia, Danimarka, Austria, Luksemburgu, Finlanda, Letonia, Malta dhe Greqia.

Siç dihet, 10 vende kaluan në gjysmëfinalen e parë të mbajtur të martën, më 13 maj; Shqipëria, Estonia, Islanda, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San Marino, Suedia dhe Ukraina. Finalja e Festivalit të Këngës në Eurovision do të mbahet sonte duke filluar nga ora 21:00. Në të do të marrin pjesë 26 vende: Zvicra, Big 5, 10 vendet më të mira nga gjysmëfinalja e parë dhe 10 vendet më të mira nga gjysmëfinalja e dytë.