Moderatorja e njohur, Kiara Tito, ka ndarë mbrëmjen e djeshme mendimet e saj mbi raportin me muzikën dhe planet për të ardhmen profesionale, duke treguar se, ndonëse e dashuron artin, nuk e sheh veten si këngëtare.
Teksa ishte e ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, moderatorja e “Portokallisë” u pyet nëse do të realizonte ndonjëherë një projekt muzikor me partnerin e saj, këngëtarin Luiz Ejlli.
Me sinqeritetin që e karakterizon, Kiara pranoi se ka pasur dëshirë të provojë diçka të tillë, por se zëri nuk është pika e saj më e fortë.
Ndërkohë në emision u përmend edhe një deklaratë e bërë së fundmi nga Miss Grand Kosovo 2025, Brikena Selmani, që ka tërhequr menjëherë vëmendjen.
Gjatë prezantimit të saj, Selmani u shpreh se flet gjuhën e Kosovës dhe gjuhën shqipe, duke i përshkruar si dy gjuhë të ndryshme. Kjo deklaratë u shpërnda shpejt në platforma si “Instagram” dhe “TikTok”, duke u bërë virale brenda pak orësh.
Komentet e ndjekësve ishin të përziera. Disa e morën me humor, si diçka e shkaktuar nga emocionet e momentit, ndërsa të tjerë e kritikuan, duke e interpretuar si mungesë njohurie ose si një deklaratë të qëllimshme.
Ndërkohë, teksa u diskutua ky momenti viral i saj në “Goca dhe Gra”, Kiara Tito e komentoi:
“Mbase ka qenë një lapsus i momentit, edhe unë mund të kem bërë gafa si shumica e njerëzve. Kam thënë gjëra që mund të jem ngatërruar nga emocionet. Po mundohem ta justifikoj disi duke qenë para një jurie jashtë vendit”.