Vajzat e emisionit “She’s On Air” në Top Albania Radio, Ina Pashollari dhe Enxhi Ruzhdia kanë qenë në Panairin e Librit të mbajtur në Pallatin e Kongreseve si çdo vit. Ato kanë bërë disa intervista ekskluzive me autorë dhe personazhe të njohur në vendin tonë, të cilët kanë zbuluar detaje në lidhje me librat e tyre që kanë sjellë për lexuesit.
Në panair Ina intervistoi edhe Flutura Açkën, ajo e pyeti dirket se cili nga deputetët sipas saj në vendin tonë ka më shumë nevojë për të lexuar dhe shkrimtarja u përgjigj duke thënë:
Më vjen keq ta them por 90% e tyre.
Mos ndoshta kjo përqindje është shumë?
Flas për ata që kam takuar unë, për ata kolegë që kam punuar unë. Ky më duket se është dhe më keq akoma.
Duke u ndalur tek libri i saj “Biri”, autorja u shpreh se:
Unë kam hezituar shumë nëse duhet ta botoj librin “Biri” apo jo. Edhe kur e kam shkruar kam hezituar, por sidomos kur e kam botuar për herë të parë në 2020. A kam unë të drejtë t’ia ngarkoj dhimbjen time edhe lexuesit? Po në fakt po të mos e botoja, unë bëja një pabesi dhe nuk isha e sinqertë me lexuesin.
Një frazë të cilën ajo do ta dallonte nga libri i saj është:
Nëse sheh me lupë errësirën, prapë errësirë do të shohësh edhe më thellë. Kjo ka qenë në njëfarë mënyre edhe projeksioni im po them mbi dhimbjen që nuk duhet parë me lupë por duhet parë me dritë.
