Vonesat, anulimet dhe kushtet e vështira atmosferike mund ta kthejnë një udhëtim me avion në një përvojë stresuese. Një studim i AirAdvisor ka analizuar 26 linja ajrore për të përcaktuar se cilat prej tyre krijojnë më shumë stres për udhëtarët.
Në vendin e parë renditet linja Amsterdam-Barcelona, e cila mori 75.1 pikë nga 100. Edhe pse nuk kryeson në asnjë prej faktorëve të analizuar individualisht, pothuajse të gjithë treguesit e saj, me përjashtim të klimës në Barcelonë, rezultojnë mbi mesataren. Sipas studimit, 7.02% e fluturimeve në këtë linjë kanë regjistruar vonesa më të gjata se një orë.
Amsterdami shfaqet edhe në vendin e dytë, këtë herë në linjën që e lidh me aeroportin Heathrow të Londrës. Në këtë itinerar, norma e anulimeve arrin në 3.69%, rreth 2.5 herë më e lartë se mesatarja e linjave të analizuara.
Në vendin e tretë është linja Manchester-Dublin, e cila regjistron përqindjen më të lartë të vonesave mbi një orë, me 7.51%. Por vonesat dhe anulimet nuk janë faktorët e vetëm që shtojnë ankthin e pasagjerëve. Studimi ka marrë në konsideratë edhe kushtet meteorologjike.
Oslo dhe Bergen në Norvegji rezultojnë ndër qytetet më të prekura nga moti, ndërsa Madeira merr vlerësimin maksimal, 10 nga 10, për ekspozimin ndaj kushteve atmosferike. Raporti thekson se Bergen është një nga qytetet më me reshje në Europë dhe përballet shpesh me erëra të forta nga Atlantiku.
Sipas CEO-s së AirAdvisor, Anton Radchenko, frika dhe stresi gjatë fluturimit rrallë shkaktohen nga një faktor i vetëm. “Pritjet e gjata në portën e imbarkimit, anulimet e papritura në minutën e fundit dhe kushtet e komplikuara atmosferike mund të rrisin ndjeshëm ankthin e një pasagjeri”, thekson ai.

