Më 29 korrik 1981, sytë e botës ishin drejtuar drejt Londrës, ku Lady Diana Spencer u martua me princin Charles në një ceremoni që u quajt “dasma e shekullit”. Ajo ditë ndryshoi përgjithmonë jetën e një vajze 20-vjeçare, e cila do të bëhej një nga figurat më të dashura dhe më të ndjekura të familjes mbretërore britanike.

Historia e Dianës me Charles kishte nisur disa vite më herët. Ata u takuan për herë të parë kur Diana ishte vetëm 16 vjeçe, në kohën kur Charles ishte në lidhje me motrën e saj më të madhe, Lady Sarah Spencer. Në vitin 1980 ata u ritakuan dhe nisën lidhjen e tyre, ndërsa vetëm gjashtë muaj më vonë Charles i propozoi martesë.

Fejesa u shpall në shkurt të vitit 1981. Diana zgjodhi vetë unazën e fejesës nga koleksioni i shtëpisë prestigjioze Garrard, një safir Ceylon prej 12 karatësh, i rrethuar nga 14 diamante dhe i vendosur në ar të bardhë 18 karatësh. Unaza mbetet edhe sot një nga më të famshmet në botë.

Ceremonia e martesës u zhvillua në Katedralen e Shën Palit në Londër. Diana mbërriti e shoqëruar nga babai i saj me karrocën mbretërore që ishte përdorur më parë nga mbretëresha Elizabeth II dhe princi Philip. Ajo u bë qytetarja e parë e zakonshme britanike që martohej me një trashëgimtar të drejtpërdrejtë të fronit pas afro 300 vjetësh.

Dita e martesës u shpall festë kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar. Rreth 3.500 të ftuar morën pjesë në ceremoni, ndërsa afro 750 milionë njerëz në 74 vende të botës e ndoqën transmetimin drejtpërdrejt, sipas BBC-së.

“Unë nuk e dija se çfarë më priste. Një ditë shkoja në punë me autobus, ndërsa ditën tjetër isha princeshë”, kishte kujtuar më vonë Diana.

Fustani i nusërisë, i dizajnuar nga David dhe Elizabeth Emanuel, u bë një ikonë e modës. I punuar me taftë ngjyrë fildishi, me mëngë të fryra dhe bisht të gjatë, ai kushtoi rreth 9.000 paund. Në kokë, Diana mbante kurorën historike të familjes Spencer. Para se të hynte në familjen mbretërore, Diana punonte si edukatore në kopshtin “Young England Kindergarten” në Pimlico, profesion që e la pas për të marrë rolin e Princeshës së Uellsit.

Pas martesës, ajo u dallua shpejt për angazhimin e saj humanitar. Diana iu përkushtua veçanërisht kauzave që lidhen me fëmijët, të sëmurët dhe grupet më të pambrojtura. Nga viti 1984 deri në vitin 1996 ishte presidente e fondacionit bamirës për fëmijë “Barnardo’s” dhe mori pjesë në më shumë se 100 aktivitete në mbështetje të tij.

“Sëmundja më e madhe nga e cila vuan njerëzimi është mungesa e dashurisë. Unë mund të fal dashuri për një minutë, për gjysmë ore, për një ditë, për një muaj, por mund të fal dashuri dhe jam shumë e lumtur që e bëj këtë”, kishte thënë Princesha Diana.

Edhe pse martesa e saj me princin Charles përfundoi me divorc në vitin 1996, Diana mbeti një nga figurat më të dashura të monarkisë britanike. Ajo humbi jetën më 31 gusht 1997 në një aksident automobilistik në Paris, por trashëgimia e saj humanitare dhe ndikimi në opinionin publik vazhdojnë të kujtohen edhe sot.