Demi Moore ka ndarë me ndjekësit në rrjetet sociale disa momente të veçanta nga dasma e vajzës së saj, Tallulah Willis, duke shprehur emocionet për kapitullin e ri në jetën e saj.

Vajza më e vogël e aktores me Bruce Willis u martua me muzikantin Justin Ashe në një ceremoni private në Sun Valley, Idaho, të shtunën, më 8 gusht, pas tre vitesh lidhje.

Demi Moore ishte pranë vajzës së saj gjatë gjithë ceremonisë dhe të dielën, më 16 gusht, publikoi në Instagram fotografi nga dita e dasmës. Në disa prej tyre, aktorja shfaqet duke përqafuar Tallulah-n para se t’ia dorëzonte dhëndrit, ndërsa në të tjera shihen momente nga pritja.

Krahas fotove, Moore i dedikoi vajzës së saj një mesazh emocionues, duke e përshkruar martesën si një moment që dukej “pothuajse shumë i mirë për të qenë i vërtetë”.

“Ka momente në jetë që duken pothuajse shumë të mira për të qenë të vërteta dhe të shikoja Tallulah-n time të bëhej nuse, e rrethuar nga kaq shumë dashuri, ishte një prej tyre”, shkroi aktorja.

Ajo shtoi se zemra e saj ishte “e mbushur me kujtime dhe mirënjohje” teksa shihte vajzën të niste një kapitull të ri në jetën e saj.

“Tallulah, duke të parë kaq rrezatuese dhe kaq thellësisht të dashur, ndjeva një ndjenjë që do ta mbaj në zemrën time përgjithmonë”, vijoi Moore.

Në fund të mesazhit, aktorja i uroi çiftit një jetë të mbushur me aventura, të qeshura dhe një dashuri që do të bëhej gjithnjë e më e fortë me kalimin e kohës.

Dasma dhe momentet para ceremonisë

Disa ditë para dasmës, Demi Moore kishte publikuar gjithashtu fotografi nga prova e fustanit të nusërisë së Tallulah. Sipas saj, krijimi i fustanit kërkoi 712 orë punë.

“Një vështrim në provën e fustanit të nusërisë së të dashurës sime Tallulah. Të gjitha momentet e buta që i paraprinë kësaj dite të bukur janë skalitur përgjithmonë në zemrën time”, kishte shkruar aktorja.

Moore kishte shprehur gjithashtu mirënjohjen për stilistin Pierpaolo Piccioli, i cili krijoi fustanin e nusërisë.

“Faleminderit Pier Paolo Piccioli që dizenjove një fustan kaq të veçantë dhe që i bëre ëndrrat e vajzës sime të ëmbël realitet”, kishte shkruar ajo.

Dasma e Tallulah Willis dhe Justin Ashe u zhvillua në një ceremoni private, larg vëmendjes së madhe mediatike, ndërsa fotot e publikuara nga Demi Moore u dhanë fansave një vështrim të rrallë në momentet emocionale të familjes gjatë ditës së veçantë.