Këngëtarja e njohur edhe e dashur për publikun Kida i ka dhënë fund beqarisë. Artistja edhe partneri i saj Ajbi kanë zhvilluar një ceremoni në datën 1 shtator në Romë të Italisë.

Ceremonia e çiftit është publikuar në rrjete sociale nga të ftuarit, duke ndarë edhe detaje nga dasma e tyre.

Këngëtarja e dashur gjatë ceremonisë është shfaqur e veshur me një fustan elegant të bardhë të punuar me dantellë, me mëngë të gjata dhe vello.

Çifti ka zgjedhur që këtë ditë të veçantë ta kalonin me miqtë e tyre të dashur, ku disa prej të ftuarve ishin edhe emra të njohur të skenës shqiptare, si Dafina Zeqiri, Yll Limani, etj.

Në pamjet e bëra publike duket se artistja ka surprizuar partnerin e saj Ajbin duke i kushtuar atij një këngë, duke e ftuar më pas të kërcejë me të në pistën e vallëzimit.

“Ajb, e kam një surprizë për ty, të ftoj të kërcesh me mua”, i tha Kida, më pas pasuan ovacione dhe reagime të shumta nga të ftuarit.

Gjithashtu mësohet se dasma e tyre është zhvilluar në Villa Miani, një nga rezidencat historike e vendosur në Monte Mario, një nga zonat panoramike të kryeqytetit italian.

Nga pamjet e bëra publike dekori ishte me lule në tonalitete rozë dhe pastel, duke krijuar një atmosferë elegante për ditën e veçantë të çiftit.

Në vitin 2024 këngëtarja mori propozimin për martesë në periudhën e ditëlindjes së saj. Pas rreth dy vitesh nga fejesa, çifti ka zgjedhur Romën për të kurorëzuar lidhjen e tyre, në një ceremoni ku kanë qenë të pranishëm familjarë, miq dhe figura të njohura të muzikës shqiptare.