Damiano David, ish-frontmeni i Måneskin, dhe këngëtarja e aktorja amerikane Dove Cameron i kanë dhënë fund beqarisë në një ceremoni intime në Toskanë.

Çifti u martua më 24 shtator në Montalcino, në provincën e Sienës, ku zhvilluan ceremoninë civile në pallatin historik të bashkisë. Në ceremoni morën pjesë rreth 30 familjarë dhe miq të afërt.

Damiano dhe Dove mbërritën së bashku me një makinë të vjetër Lancia, ndërsa të dy kishin zgjedhur veshje në ngjyrë të bardhë.

Damiano u shfaq me një kostum dopiopet pa kravatë, këmishë të hapur dhe një stoli mëndafshi mbi supe. Ndërsa Dove zgjodhi një kostum të bardhë elegant, me këmishë, kravatë të vogël dhe rrip në bel, duke shmangur fustanin tradicional të nusërisë.

Aktorja mbante në duar një buqetë me kalla të bardha, ndërsa ceremonia u zhvillua nën një dekorim të thjeshtë me lule dhe qirinj të bardhë.

Pas ceremonisë, çifti doli nga godina mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të fansave që kishin pritur për orë të tëra për t’i parë. Të pranishmit nisën të thërrisnin “Puthje, puthje”, dhe të sapomartuarit iu përgjigjën duke shkëmbyer një puthje të gjatë para turmës.

Damiano David dhe Dove Cameron u takuan për herë të parë në vitin 2022, gjatë MTV Video Music Awards, ndërsa lidhja e tyre u bë publike në vitin 2023.

Dyshja u shfaq për herë të parë së bashku në tapetin e kuq në vitin 2024, ndërsa gjatë viteve të fundit kanë preferuar ta mbajnë pjesën më të madhe të jetës private larg vëmendjes së medias.

Fejesa e tyre u bë publike në janar të vitit 2026, pasi Dove publikoi fotografi ku shfaqej me unazën e fejesës.

Çifti ka treguar edhe më parë se marrëdhënien e tyre e kanë ndërtuar mbi gjëra të thjeshta të përditshme, si gatimi, pazaret apo kalimi i kohës në shtëpi, pavarësisht jetës së tyre intensive në qendër të vëmendjes.

Martesa civile në Montalcino ishte vetëm fillimi i festimeve.

Sipas raportimeve, çifti dhe të ftuarit janë zhvendosur në Castiglion del Bosco, një resort luksoz në Val d’Orcia, ku festimet do të vazhdojnë gjatë fundjavës. Pjesa tjetër e ceremonive është planifikuar me masa të rrepta privatësie.

Ndërkohë, fansat e Måneskin kanë qenë veçanërisht kuriozë për praninë e ish-bashkëpunëtorëve të Damianos, Victoria De Angelis, Thomas Raggi dhe Ethan Torchio. Pjesëmarrja e tyre në festimet e mëvonshme është përfolur, por një ribashkim i grupit nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Për Damiano David dhe Dove Cameron, ceremonia në Toskanë shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm të historisë së tyre të dashurisë, këtë herë mes kodrave dhe vreshtave të Montalcinos.