Pronari i një vile të bukur prej guri në Quebec të Kanadasë ka vendosur që të padisë ish-pronarin, pasi nuk i ka treguar se brenda pronës ka ndodhur një vrasje e dhunshme.

Sipas një padie të publikuar nga “CTV News”, pronarët e shtëpisë me vlerë 1.6 milionë dollarë, kanë fshehur sekretin e madh.

E vendosur në Hudson piktoresk, vetëm pak hapa larg brigjeve të lumit Ottawa, mjedisi paqësor dhe pamja e jashtme e shtëpisë fshehin një histori të errët.

Gjashtë vjet më parë, 52-vjeçari Normand James, i cili ishte skizofren, vdiq kur hyri me forcë në shtëpi dhe pronari e goditi 10 herë me thikë në vetëmbrojtje, raportojnë lajmet.

Pronarja e mëparshme ishte një grua në të 40-at me tre fëmijë brenda pronës, dhe ajo u mor në pyetje nga policia ditën e vdekjes së James, por më vonë u lirua.

Një mjek ligjor arriti në përfundimin se James u përpoq të largohej pas grindjes së dhunshme, por u rrëzua jashtë shtëpisë afër derës së përparme. Ai u shpall i vdekur në spital.

Në prill të vitit 2024, prona u ble për pak më pak se 1.6 milionë dollarë kanadezë nga pronarët e saj aktualë, të cilët thanë se nuk ishin në dijeni të asaj që kishte ndodhur brenda kësaj vile.

Pronarët e shtëpisë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur, kanë paditur banorët e mëparshëm për 425,000 dollarë, duke pretenduar se nuk u kishin treguar për vdekjen e 52-vjeçarit në deklaratën e shitësit.

“Nëse paditësit do të ishin informuar për këtë vdekje të dhunshme … dhe rrethanat tragjike të kësaj tragjedie të publikuar gjerësisht në kohën e duhur, ata nuk do ta kishin blerë pronën ose nuk do ta kishin paguar çmimin e kërkuar”, thuhet në padinë e tyre.

Ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme, Mark-Andre Martel, i cili gjithashtu nuk është i përfshirë në këtë rast, tha se zakonisht do ta ulte çmimin e një shtëpie me 10-15 për qind nëse brenda do të kishte ndodhur një vdekje e dhunshme ose vetëvrasje.

“Në fund të fundit, kur ke atë lloj zbulimi, zvogëlohet grupi i blerësve për çdo pronë të caktuar. Dhe nëse ke më pak blerës, atëherë edhe çmimi do të jetë më i ulët”, tha Martel për “CTV News”.

Pronarët e rinj shpresojnë të rikuperojnë 25 për qind të çmimit që kanë paguar për shtëpinë plus dëmet pasi çështja e tyre të shkojë në gjykatë.

Ata gjithashtu po padisin agjentin e listimit të shitësve për 25,000 dollarë. Por agjentja, emri i së cilës nuk është bërë publike, pretendon se shitësit e pronës e kanë deklaruar ngjarjen e rëndë.  Sipas saj, deklarata e shitësit e ka përshkruar me saktësi incidentin.

Ndërkohë në dokumentet e shitjes, pronarët e mëparshëm kanë treguar se ka patur një ‘ndërhyrje apo grindje’. Ata shprehen se blerësit duhet të kishin bërë pyetje në lidhje me këtë nëse ishin të shqetësuar.

Megjithatë, shitësit shënuan ‘jo’ kur u pyetën nëse kishte ndodhur një vdekje e dhunshme ose vetëvrasje brenda shtëpisë, sepse James mund të ketë vdekur jashtë ose në spital.