Aktorja britanike Phoebe Dynevor, e njohur për rolin e Daphne në serialin e famshëm të Netflix, “Bridgerton”, ka kurorëzuar në martesë lidhjen e saj me aktorin dhe producentin Cameron Fuller.

Dynevor e bëri të ditur lajmin më 17 shtator, përmes një postimi në Instagram, ku publikoi dy fotografi nga dita e dasmës. “U martova me shokun tim më të mirë”, shkroi aktorja në mbishkrimin e postimit.

Edhe Fuller ndau fotografi nga ceremonia në rrjetet sociale, duke shkruar thjesht: “Gruaja ❤️”.

View this post on Instagram

A post shared by Cameron Fuller (@cameronfuller)

Çifti u njoh në janar të vitit 2023, gjatë Festivalit të Filmit Sundance. Lidhja e tyre u bë publike disa muaj më vonë, pasi u fotografuan së bashku në Londër. Në prill të atij viti, ata u panë duke shëtitur dorë për dore dhe gjatë së njëjtës dalje takuan edhe babanë e Cameron Fuller.


Dynevor dhe Fuller njoftuan fejesën në maj të vitit 2024, ndërsa më shumë se dy vite më vonë vendosën të martoheshin. Cameron Fuller është aktor dhe producent. Ai është shfaqur në seriale si “Insecure”, “Into the Dark” dhe “The Goldbergs”, ndërsa një nga rolet e tij më të njohura është ai në “The Last Ship”.

Si producent, Fuller ka punuar në projekte si “The Astronaut” (2025), “Drop” (2025) dhe “Wishful Thinking” (2026). Për një periudhë ai drejtoi edhe një kanal në YouTube së bashku me aktorin Gregg Sulkin, ku realizonin sfida, vlogje dhe intervista me personazhe të njohur.

Fuller është gjithashtu djali i producentit të njohur hollivudian Brad Fuller, i cili ka punuar në disa filma të famshëm horror, mes tyre “The Purge”, “A Quiet Place” dhe “A Nightmare on Elm Street” të vitit 2010.

Ndërkohë, Phoebe Dynevor u bë e njohur ndërkombëtarisht përmes rolit të Daphne Bridgerton në serialin “Bridgerton”, ndërsa së shpejti pritet të shfaqet edhe në projekte të tjera kinematografike.