Gruaja e një prej zyrtarëve më të lartë të Vladimir Putin ka shijuar një udhëtim luksoz në Paris. “Daily Mail” shkruan se teksa Rusia po lëshon bomba në Kiev të Ukrainës, Svetlana Ivanova, shpenzoi 70 mijë paund në shopping.
Ivanova, e cila është e martuar me zëvendësministrin e Mbrojtjes së Kremlinit, Timur Ivanov, udhëtoi në Paris dhe Angli për të parë fëmijët e saj adoleshentë, në mars të këtij viti.
Aleatët e liderit të burgosur të opozitës ruse, Alexei Navalny, zbuluan në një hetim nga Fondacioni Anti-Korrupsion se zonja Ivanova vizitoi një butik Prada në Paris. Por jo vetëm kaq, pasi ka shkuar edhe në dyqane të tjera ekskluzive bizhuterish, duke shpenzuar në total 70,000 paund gjatë arratisjes së shkurtër.
Nga ana tjetër, po atë javë, ekipet e shpëtimit u panë duke tërhequr trupa të vdekur dhe të mbijetuar të gjakosur nga një rrënojë në Kiev, pas një shpërthimi më 22 mars.
Shpërthimi e detyroi Ukrainën në një tjetër shtetrrethim, ndërsa raketat me rreze të gjatë vazhduan të godasin qytete të tëra. Burimet në terren thanë se kryeqyteti ‘i ngjante një filmi fatkeqësie’ pas sulmeve barbare dhe të pamëshirshme.
Përkundër tragjedisë njerëzore – me humbje në të dyja anët e luftimeve – aleatët e Putinit dhe ata të afërt, kryesisht po bënin jetën e tyre të përditshme.
Djali i zonjës Ivanova, Mikhail është student në Universitetin e Oksfordit në Angli dhe vajza e saj jeton në Francë. Ndërkohë burri i saj është në mesin e atyre të sanksionuar nga Britania, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të afërsisë së tij me Putinin. Por zonja Ivanova dhe fëmijët e saj nuk janë nën të njëjtat kufizime.