Portieri i famshëm italian, Gianluigi Donnarumma, i ka dhënë fund beqarisë. Ai ka kurorëzuar dashurinë me partneren e tij prej vitesh, Alessia Elefante, në një ceremoni romantike të zhvilluar në Kishën “San Giorgio Martire” në Locorotondo, Itali.

Mediat vendase shkruajnë se, dasma u shoqërua me duartrokitje dhe emocione, ndërsa qindra banorë dhe tifozë u mblodhën në qendrën historike të qytetit për të parë nga afër mbërritjen e çiftit.

Për mbarëvajtjen e ceremonisë dhe ruajtjen e privatësisë së të ftuarve, zona u vu nën masa të rrepta sigurie. Donnarumma u paraqit me një kostum elegant bardhë e zi, ndërsa Alessia tërhoqi vëmendjen me një fustan klasik nusërie të bardhë, të kompletuar me një vel të gjatë, duke dhuruar një pamje që u komentua gjerësisht në rrjetet sociale.

Dasma e portierit të Kombëtares italiane dhe Manchester City u kthye në një festë të vërtetë, e shoqëruar nga atmosfera festive dhe emocionet e të pranishmëve.

Ndërkohë vëmendje të veçantë tërhoqën edhe personalitetet e pranishme në dasmë. Në listën e të ftuarve spikatnin Erling Haaland, bashkëlojtari i Donnarumma-s te Manchester City, dhe Roberto Mancini, ish-komandanti i përfaqësueses italiane.

Donnarumma dhe Alessia Elefante e njohin njëri-tjetrin qysh në vegjëli, teksa u rritën bashkë në Castellammare di Stabia, ku ndoqën edhe shkollën.

Historia e tyre e dashurisë nisi në vitin 2016, pikërisht gjatë periudhës kur italiani mbrojti portën e AC Milan dhe po ndërtonte një karrierë të lavdishme futbollistike. Në shtator 2024, çifti u bë prindër për herë të parë të një djali, të cilin e pagëzuan Leo, duke e bërë familjen e tyre më të madhe.

Pas përfundimit të ritit fetar, atmosfera festive u zhvendos në një maseria madhështore në afërsi të Fasanos, ku çifti i ri dhe të ftuarit e tyre kremtuan nisjen e një faze të re të jetës.