Këngëtari i famshëm, Justin Bieber, është parë mbrëmjen e së premtes në Los Angeles, ku ka darkuar me bashkëshorten e tij, Hailey Bieber, në restorantin e njohur Giorgio Baldi.

Pas daljes nga lokali, 31-vjeçari u fotografua duke pirë duhan mbi kapakun e makinës së tij, një moment që u komentua gjerësisht në mediat rozë.

Vetëm një ditë më vonë, këngëtari kanadez publikoi në profilin e tij në “Instagram”, ku numëron 294 milionë ndjekës, një seri postimesh provokuese.

Mes tyre ishin foto ku ai pozonte vetëm me të brendshme të bardha, si dhe një video ku shfaqej i lagur pas një zhytjeje në liqen, duke mbajtur veshur çizme pune.

Një mik që e filmonte e përshkroi sjelljen e tij si “skandaloze”, sipas “DailyMail”.

Pamjet mendohet se janë shkrepur gjatë një udhëtimi të fundit në natyrë me miqtë e tij, ndërsa gjatë javës Bieber kishte ndarë edhe foto nga aktivitete të tjera si qitja në shënjestër dhe udhëtime me makinë.

Postimet përfshinin gjithashtu momente familjare me djalin e tij gati njëvjeçar, Jack Blues, që ka me Hailey.

Në një intervistë për “Vogue” në maj, Hailey kishte zbuluar detaje nga lindja e djalit, duke folur për sfidat shëndetësore dhe periudhën e rikuperimit pas saj.