“Njerëzit në të vërtetë nuk më njohin”. Kjo është në fjali e Marilyn Monroe e thënë në një intervistë për revistën “Life Magazine” në verën e vitit 1962. Është një nga rrëfimet e saj të fundit para ndarjes nga jeta.
Aktorja legjendare, e lindur si Norma Jeane Baker, tregoi se fama shpesh e kishte reduktuar në një simbol, diçka që ajo e refuzonte: “Ky është problemi – një simbol seksi bëhet një ‘gjë’. Unë e urrej të jem një ‘gjë’”.
Pas imazhit të ikonës së Hollywood-it fshihej një histori e vështirë. Ajo e kaloi fëmijërinë në jetimore dhe familje kujdestare, derisa u zbulua në moshën 18-vjeçare dhe nisi rrugëtimin drejt famës. Ajo kujtonte se dashuria për aktrimin kishte lindur që në moshën 5-vjeçare, kur kalonte orë të tëra në kinema.
Në intervistën në fjalë, Marilyn Monroe foli edhe për famën, duke e krahasuar me “kavjarin” – diçka e mirë, por e tepërt kur bëhet e përditshme. Ndër momentet më të veçanta të karrierës së saj ishte performanca ikonike e këngës “Happy Birthday” për presidentin John F. Kennedy në vitin 1962.
Monroe rrëfeu gjithashtu vështirësitë në industrinë e filmit, ku shpesh nuk trajtohej si yll, pavarësisht suksesit. Ajo foli hapur edhe për jetën personale, martesat dhe dëshirën për një familje të lumtur, një ëndërr që nuk e përjetoi plotësisht.
Intervista u publikua më 3 gusht 1962. Vetëm dy ditë më pas, aktorja u gjet e vdekur nga mbidoza e barbiturateve, në një rast të cilësuar si vetëvrasje e mundshme, por që edhe sot mbetet i rrethuar nga mister.











