Skocia po tërheq vëmendje publike me një ndodhi paksa të pazakontë që ka ndodhur së fundmi. 36-vjeçari nga Gana, Kofi Offeh, i vetëshpallur si “Mbreti Atehehe i Mbretërisë së Kubalës”, është larguar me forcë nga një kamp i improvizuar në pyjet pranë Jedburgh, pas ndërhyrjes së oficerëve të emigracionit.

“Daily Mail” shkruan se Offeh kishte jetuar për muaj të tërë bashkë me Jean Gasho, 42 vjeç nga Zimbabve, të cilën e prezantonte si “Mbretëresha Nandi” dhe me Kaura Taylor, 21-vjeçare nga Teksasi, e cila përshkruhej si “shërbëtorja” e mbretërisë dhe gruaja e dytë e tij.

Ata pretendonin se po “rimerrnin tokat e vjedhura nga paraardhësit e tyre 400 vite më parë” e mbijetonin falë donacioneve të qytetarëve.

Pas dy urdhrave për dëbim që refuzuan t’i pranonin, një gjykatë skoceze urdhëroi ndalimin e rikthimit të tyre në tokat private. Sot në mëngjes, policia dhe oficerët e emigracionit shkuan në kamp, duke i larguar Offeh dhe Taylor me pranga.

Taylor ishte raportuar e zhdukur nga familja në SHBA, e cila akuzon Offeh dhe Gasho se e kanë manipuluar për të lënë vendin. Në kamp, kryente punët e shtëpisë ndërsa çifti e paraqiste si pjesë të “mbretërisë”.

Grupi njihej në rrjete sociale ku postonte video me rituale, këngë e vallëzime dhe duke kërkuar “dhurata” nga vizitorët për t’u lejuar të flisnin me “mbretin”. Por, praninë e tyre e ka shoqëruar edhe një valë pakënaqësie e madhe nga banorët lokalë, të cilët i akuzuan për prishje rendi e zaptim të tokave.