Një periudhë veçanërisht e lumtur në jetën e saj duket se po kalon këngëtarja Katy Perry, e cila po shijon momentet pranë Justin Trudeau. Ajo ka publikuar në rrjetet e saj sociale disa fotografi ku shfaqet së bashku me të dhe me vajzën e saj, duke treguar se po kalojnë kohë shumë të bukur së bashku.

Sipas një shkrimi të publikuar nga “RadarOnline”, këngëtarja kishte prej kohësh dëshirën për një ndryshim të rëndësishëm në jetën e saj personale dhe në imazhin e saj publik. Burime pranë saj thonë se kjo duket se ndodhi pikërisht në momentin kur nisi marrëdhënia me Trudeau.

Madje, për të treguar sa shumë përputhen me njëri-tjetrin, Perry thuhet se ka ndarë edhe hartën e tyre astrologjike në llogarinë e saj personale në “Instagram”, të mërkurën, më 11 mars.

“Ajo e priste prej kohësh këtë marrëdhënie me Justin dhe e dëshironte shumë”, ka deklaruar një burim për median, duke theksuar se tani ajo e sheh të ardhmen e saj në një mënyrë krejt ndryshe.

I njëjti burim shtoi se këngëtarja është ajo që po bën shumicën e hapave në marrëdhënie, ndërsa të dy duket se ndajnë një qëllim të përbashkët: “Katy dhe Justin duan të ndryshojnë botën për mirë dhe duan ta bëjnë këtë së bashku”, është shprehur burimi.

Sipas të njëjtit publikim, çifti beson se duke u paraqitur si një ekip mund të shfrytëzojë famën e tyre për t’iu afruar faktorëve të fuqishëm financiarë dhe për të mbledhur fonde për kauza bamirësie.

Gjithashtu, thuhet se Katy Perry po mendon në plan afatgjatë dhe dëshiron që marrëdhënia e saj me Justin Trudeau të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, duke shmangur tensionet që mund të krijojnë publicitet negativ.

Siç theksoi burimi, fakti që ata duan të përdorin famën e tyre për t’u marrë me çështje të mëdha globale tregon edhe për dinamikën dhe potencialin e marrëdhënies së tyre.