Supermodelja e njohur, Bianca Balti, bëri një rikthim spektakolar si bashkë-prezantuese, në Festivalin e Muzikës në “Sanremo”, pas betejës së saj me kancerin ovarian.

Festivali, i cili filloi më 11 shkurt dhe zgjat deri më 15 shkurt 2025, shënoi jo vetëm rikthimin e saj profesional, por shërbeu edhe si platformë për të ndarë historinë e saj të forcës dhe guximit për të përballuar gjithë atë sëmundje, shkruajnë mediat e huaja.

Në skenë, Balti u shfaq pa asnjë mbulesë, duke ekspozuar pa komplekse kokën e saj pa flokë, si rezultat i kimioterapisë, dhe duke përforcuar misionin e saj për të festuar jetën përtej kufijve të kancerit.

E shoqëruar nga prezantuesi i njohur italian, Carlo Conti, ajo shprehu gëzimin e saj të përzemërt: “Çfarë emocioni, jam shumë e lumtur që jam këtu. Carlo, falë syve të tu, ndjej se ia vlen të jem këtu sonte”.

Prania e Baltit në “Sanremo” vjen vetëm disa muaj pas diagnostikimit së saj me kancer ovarian, i zbuluar më 8 shtator 2024. Ajo u diagnostikua pas disa dhimbjesh të forta barku, ku si rezultat doli kancer i fazës 3C.

Duke reflektuar mbi përvojën e saj, Bianca tregoi: “Ka qenë një periudhë plot frikë, dhimbje dhe lot, por mbi të gjitha dashuri, shpresë, të qeshura dhe forcë”, shkruan Daily Mail.

Gjatë konferencës për shtyp para festivalit, ajo theksoi synimin e saj: “Unë nuk jam këtu për të qenë paciente me kancer. Unë dua të jem një festë e jetës”.

Vendimi i saj për t’u shfaqur pa paruke në një nga eventet më të ndjekura në Itali sfidon standardet konvencionale të bukurisë dhe thekson vërtetësinë.

“Kjo është forma më e bukur e bukurisë”, deklaroi ajo, duke mishëruar idenë e dukshmërisë dhe pranimit.