Melania Trump u shfaq krah bashkëshortit të saj, Donald Trump, në fjalimin e këtij të fundit pak para shpalljes së fitores për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

54-vjeçarja, e cila kishte munguar kryesisht gjatë fushatës elektorale, u shfaq e qeshur dhe dorë për dore me Trump.

Paraqitja e çiftit vjen vetëm disa javë pasi Melania bëri rikthimin e saj triumfues në politikë, duke prezantuar 78-vjeçarin në mitingun e tij të mbushur me yje në “Madison Square Garden”, në Nju Jork.

Ndërkohë Trump mbajti fjalimin para mbështetësve të tij dhe shpalli fitoren në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, duke bërë kështu një rikthim të mrekullueshëm politik.

Në fjalën e tij, Trump falënderoi ‘gruan e tij të bukur’ për përkushtimin e saj si dhe e lavdëroi atë që ‘punoi shumë për të ndihmuar njerëzit’. Në një moment, ai shkoi pranë bashkëshortes dhe e puthi në faqe.

Ndërkohë pranë ish-Zonjës së Parë të SHBA ishte edhe djali i saj, Barron, fëmija më i vogël i Trump.