Trashëgimtari i familjes së famshme të modës “Givenchy”, Sean Taffin de Givenchy, dhe bashkëshortja e tij Dahye Jung, kanë ndarë për herë të parë fotot nga dasma e tyre madhështore, e cila u zhvillua në gusht në Paris.
Ceremonia, e cilësuar nga “Vogue” si një nga më elegantet e vitit, u mbajt në Bazilikën Sainte-Clotilde, ndërsa nusja u shfaq me një fustan të punuar me porosi nga dizajneri Andrew Kwon, të kombinuar me një vello katedrale dhe këpucë “Manolo Campari”.
“Vizioni im ishte klasik, i përjetshëm dhe padyshim parisien”, tregoi Dahye për “Vogue”, duke zbuluar se kishte përgatitur një “vision board” me mbi 100 slajde për planifikuesen e dasmës.
“Daily Mail” shkruan se, dasma ishte kulmi i një feste tre-ditore, që përfshinte një darkë luksoze në “La Fontaine Gaillon”, një brunch elegant në hotelin “Le 5 Particulier” dhe një festë madhështore në Le Pavillon Dauphine St Clair.
Në mesin e të ftuarve ishin anëtarët më të afërt të familjes Givenchy, përfshirë dizajnerin e njohur të bizhuterive James Taffin dhe të afërmen Stella de Givenchy. Ndërkohë, vëllezërit e dhëndrit, Lucas dhe Matthew de Givenchy, ishin kumbarët e ceremonisë.
Çifti u njoh në Universitetin McGill në Montreal në vitin 2018 dhe u fejuan në New York, ku zhvilluan edhe një ceremoni civile më herët këtë vit. Dahye, për respekt ndaj trashëgimisë së bashkëshortit, mbante një çantë Givenchy, si homazh për emrin që ka lënë gjurmë në historinë e modës.
Kjo ngjarje, që ka mahnitur botën e modës dhe rrjetet sociale, është cilësuar nga mediat ndërkombëtare si “Dasma e vitit”, një kombinim perfekt i elegancës, luksit dhe dashurisë franceze.