Një nga komplekset më të shtrenjta në Londër, 1 Mayfair, i miliarderit John Caudwell, ka zbuluar detajet e çmimeve të papara për apartamentet luksoze që do të përfundojnë në pranverën e vitit 2026.

“Daily Mail” shkruan se çmimi për një apartament do të nisë nga 35 milionë paund, shumë më e lartë se çmimi mesatar i shtëpive në Londër.

Ky kompleks i elitës do të ketë vetëm 24 ‘rezidenca kryesore’, përfshirë apartamente me pesë dhoma gjumi dhe pesë apartamente më të vogla.

Sipas mediave britanike, ka tashmë mbi 600 klientë potencialë që janë në listën e pritjes, dhe është e mundur që ky zhvillim të tejkalojë “One Hyde Park” në Knightsbridge për sa i përket çmimeve.

Njësitë e 1 Mayfair do të mbulojnë një sipërfaqe prej 300,000 metra katrorë, me një çmim mesatar që do të arrijë rreth 70 milionë paund. Për ata që kërkojnë luks të jashtëzakonshëm, ka edhe një bodrum që do të shtrihet deri në 90 metra nën tokë, me një pishinë 20 metra dhe parkim makinash.

Në një qytet ku çmimi mesatar i një shtëpie është rreth 500,000 paund, këto pasuri mund të përballohen vetëm nga klientët më të pasur dhe më të elitës.