Princesha e ndjerë Diana e ka kaluar ditëlindjen e saj të fundit në një gala, ku ka ndarë edhe pak kohë për t’u takuar me fansat. Vetëm dy muaj para aksidentit tragjik me makinë që i mori jetën, Diana festoi 36 vjetorin e lindjes më 1 korrik 1997 me stil.
Ajo merrte pjesë në një gala të mbajtur në nder të 100 vjetorit të Galerisë Tate, në Londër. Princeshë Diana u shfaq me një fustan të zi me rruaza që e mori si dhuratë për ditëlindje nga stilisti Jacques Azagury, ndërsa aksesori i saj ishte një gjerdan i shndritshëm me gurë të gjelbër dhe vathë që përputhen.
Ajo gjithashtu gjeti kohë për të përshëndetur fansat që ishin mbledhur jashtë muzeut dhe po i uronin ditëlindjen. Ata e mbuluan me dhurata për ditëlindje, duke përfshirë kartolina, lule dhe një tullumbace të vogël rozë me një arush pelushi vizatimor mbi të.
“Diana kishte një talent me njerëzit. Ajo mund t’a bënte këdo të ndihej rehat me të”, tha më parë vëllai i saj, Charles, për “People”.
Vera e saj e fundit përfshinte një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku foli në një gala të Kryqit të Kuq dhe takoi Hillary Clinton, si dhe një vizitë në Bosnjë për të punuar në një fushatë për viktimat e minave tokësore.
Ajo gjithashtu kaloi pushimet në Saint-Tropez me të dashurin e saj Dodi Al Fayed dhe dy djemtë e saj, Princin William dhe Princin Harry.
Pasi kaluan nëntë ditë me Al Fayed duke pushuar në rivierën franceze dhe otaliane, çifti mbërriti në Paris më 31 gusht. Disa orë më vonë, si Diana ashtu edhe Dodi u vranë në një aksident me makinë në tunelin Pont de l’Alma, ndërsa udhëtonin nga hoteli Ritz Paris në një apartament tjetër në qytet.