“Ëmbëlsirë apo shaka”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania, dolën nga Shtëpia e Bardhë nën tingujt e këngës “Thriller” të Michael Jackson, për të marrë pjesë në një aktivitet për Halloween.
Aty ishin të pranishëm edhe familjet e zyrtarëve të administratës, përfshirë zëdhënësen Karoline Leavitt me bashkëshortin dhe djalin e tyre, si edhe këshilltarin Stephen Miller.
Presidenti amerikan priti qindra të ftuar të veshur me kostume, nga superheronj te dinozaurët, madje edhe disa fëmijë të veshur si çifti presidencial, në festën e Halloween-it të së enjtes mbrëma në Shtëpinë e Bardhë.
Donald Trump dhe Melania dolën në South Lawn në mbrëmje dhe asnjëri prej tyre nuk ishte maskuar si ndonjë personazh me rastin e Halloween.
Trump mbante një kostum blu me kravatë të kuqe dhe një kapele të kuqe me mbishkrimin “USA”, ndërsa Melania kishte veshur një pallto kafe mbi një fustan portokalli.
Çifti shpërndau çokollata Hershey dhe Twizzlers, të paketuara në kuti me vulën presidenciale, për një radhë fëmijësh dhe prindërish që shtrihej përgjatë rrugicës. Mure të përkohshme pengonin pamjen e punimeve për ndërtimin e sallës së re të ballove të Trump në Shtëpinë e Bardhë, që kishte çuar në shembjen e Krahut Lindor, megjithatë një buldozer i parkuar shihej ende në anën tjetër.
“Është një radhë e gjatë”, tha Trump, duke shtuar: “Pothuajse aq e madhe sa salla e ballove”.













