Një vajzë 10-vjeçare përjetoi momente tmerri kur një luaneshë e uritur u përpoq ta kapte me putër teksa ajo po e ushqente gjatë një vizite në Shantou Zhongshan Park Zoo në Shantou, provinca Guangdong, Kinë.
Sipas raportimeve, vajza – identiteti i së cilës nuk është bërë publik – po i jepte ushqim kafshës përmes kafazit kur luanesha futi papritur putrën nëpër hapësirat e hekurave dhe u përpoq ta tërhiqte drejt vetes.
Kafsha arriti t’i kapte pantallonat dhe tentoi ta afronte më shumë, ndërsa vajza bërtiste e tmerruar. Ngjarja ndodhi të enjten (26 shkurt).
Një kujdestar i kopshtit zoologjik ndërhyri menjëherë për t’a shpëtuar. Ai e tërhoqi fort vajzën dhe më pas mori një shufër metalike nga toka, duke goditur vazhdimisht drejt luaneshës për t’a detyruar të lironte kapjen. Pas rreth 30 sekondash përpjekje, ai arriti t’a nxirrte vajzën nga rreziku.
Mediat lokale raportojnë se kujdestari e kishte futur vajzën në një zonë të posaçme sigurie për të ushqyer kafshën, edhe pse ajo ishte shumë e vogël për të marrë pjesë në një aktivitet të tillë. Pas incidentit, ai është pezulluar dhe është transferuar në një detyrë tjetër, sipas raportimit të “NeedToKnow”.
Stafi beson se luanesha reagoi agresivisht pasi pa mish në dorën e vajzës.
Vajza u dërgua në spital për kontrolle dhe rezultoi se kishte vetëm disa gërvishtje të lehta në këmbë. Ajo mori gjithashtu një vaksinë kundër tërbimit dhe më pas u largua me prindërit e saj, të cilët thuhet se nuk e fajësojnë kopshtin zoologjik për incidentin.
Kopshti zoologjik, i njohur për aktivitetet interaktive të ushqimit të kafshëve, u mbyll përkohësisht për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.



