Jennifer Lopez dhe Ben Affleck janë parë shumë afër njëri-tjetrit në premierën e filmit të tyre të ri, “Kiss Of The Spider Woman”, të hënën në Nju Jork.
Aktorja e famshme dhe ish-bashkëshorti i saj bënë një paraqitje të papritur së bashku në tapetin e kuq. 56-vjeçarja dhe 53-vjeçari u fotografuan duke bërë një bisedë intime me njëri-tjetrin, pak më shumë se një vit që kur këngëtarja paraqiti kërkesën për divorc.
Pavarësisht ndarjes së tyre, Ben Affleck vazhdon të mbështesë ish-bashkëshorten në karrierën e saj artistike.
Aktorja luan rolin kryesor në filmin muzikor “Kiss of the Spider Woman”, ndërkohë Affleck ishte i pranishëm në këtë event surprizë, si bashkë-producent i filmit përmes kompanisë së tij “Artist Equity”, të cilën e themeloi me mikun dhe bashkëpunëtorin Matt Damon.
Lopez falënderoi publikisht Affleck për kontributin e tij në realizimin e filmit:
“Ky film nuk do të ishte bërë pa Benin dhe pa Artist Equity. Ishte një përvojë që më ndihmoi të kaloj një periudhë të vështirë në jetën time personale”.
Filmi, i drejtuar nga Bill Condon (Chicago), është një rikrijim i muzikalit të vitit 1993 dhe bazohet në romanin e Manuel Puig. Krahas Lopez, në film luajnë edhe Diego Luna dhe Tonatiuh.
“Kiss of the Spider Woman” u shfaq për herë të parë në Festivalin e Filmit Sundance 2025 dhe është pritur me interes të madh për përzierjen e dramës, muzikës dhe mesazheve të forta emocionale.
Dyshja, që u divorcua në fillim të vitit 2025, u komentua shumë nga përdoruesit e rrjeteve sociale pas kësaj paraqitjeje së bashku:
“Zot… do ta fillojnë nga e para. Ata po shkojnë në shtëpi së bashku”.