Fqinjët e këngëtares së famshme, Rita Ora, duket se janë të zemëruar me planet e saj për të ndërtuar një palestër të madhe në kopshtin e fundosur të vilës së saj prej 7.5 milionë paundë.
Sipas “Daily Mail”, 34-vjeçarja e cila e bleu 4 vite më parë pronën e listuar si ndërtesë e kategorisë II në Primrose Hill, Londër, synon të shkatërrojë elementë të jashtëm që kanë qenë aty për gati 150 vjet.
Por duket se fqinjët e artistët nuk do e lejojnë një gjë të tillë, pasi kanë paraqitur ankesa të forta, duke e cilësuar projektin si një “shëmtim”. Gjithashtu e akuzojnë këngëtaren e famshme për hipokrizi, pasi sipas tyre, me këtë veprim po rrezikon një habitat natyror delikat.
“Ironikisht, pronarja aktuale ka deklaruar publikisht se dëshironte të ruante dhe nderonte trashëgiminë e këtij kopshti të fundosur, të cilin e ka përshkruar si një strehë për fluturat, zogjtë dhe madje edhe pallonj që janë parë aty ndër vite. Të shkatërrosh këtë ekosistem natyror për të ndërtuar një palestër moderne është krejtësisht në kundërshtim me trashëgiminë dhe qetësinë që përfaqëson kjo pronë e mbrojtur”, shkruajnë fqinjët në letrën e tyre drejtuar Këshillit të Camden-it.
Situata bëhet edhe më e sikletshme pasi ata përmendin një artikull që vetë Rita Ora kishte shkruar më parë për revistën “Architectural Digest”, ku kishte lavdëruar kopshtin e saj:
“Mirësevini në atë që unë e quaj pjesën time të vogël të parajsës… këtu qëndrojnë fluturat. Nuk doja të vendosja shumë elementë elektrikë në këtë pjesë sepse ndieja që qëllimi i këtij kopshti të fundosur ishte të mbetej thjesht një kopsht”.
Fqinjët paralajmërojnë se ndërtimi i palestrës do të shkatërrojë qetësinë dhe mund të shkaktojë shqetësime nga zhurma dhe dritat.
Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja e hitit “Hot Right Now” përballet me debate të tilla, më parë ajo ka pasur mosmarrëveshje të ngjashme për zhurmën edhe në dy rezidenca të tjera në Londër. Një zëdhënës i këngëtares ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje.