Duke folur për fituesin e mundshëm të “Big Brother”, Genta dhe Françeska thonë se nëse nuk do të jenë ato, është më mirë që ta fitojë Arbri dhe jo Liami. Vajzat nuk sqarojnë arsyet se pse mendojnë kështu, ndonëse këtë javë ato kanë nominuar njëra-tjetrën
Banorët i kanë të pashmangshme bisedat për nominimet, natën finale, festën që do të bëhet për fituesin dhe jetën që i pret pas daljes nga shtëpia. Liami thotë se këtë javë nuk do të debatojë me asnjë banor, por do ta shijojë, duke kujtuar se e ka bërë lojën e tij. Françeska dhe Ermali diskutojnë për lidhjen e tyre jashtë shtëpisë.
Eri, Liamit: Ti ke strategji dhe bën gjithçka për lojë
Liami e Genta diskutojnë për ditët që u kanë mbetur në shtëpinë e “Big Brother”. Genta thotë se ajo dhe Françeska janë më të rrezikuara për daljen. Ajo tregon se publiku ka duartrokitur shumë kur ajo e ka nominuar. “Ti e ke shoqe, si e nominove?”, i thotë Liami. Genta thotë se edhe ajo e ka konsideruar shoqe, por e nominoi. “Shiko, shiko”, i thotë duke qeshur Liami. Genta i bën të qartë se këtu janë në lojë dhe se shoqe mund ta ketë jashtë Françeskën, por jo brenda shtëpisë. Më pas atje shkon edhe Erioni e Liami fillon të diskutojë me të. Ata flasin se çfarë mund të bëjnë për efekt të lojës. Erioni mendon se Liami mund të bëjë gjithçka për hir të lojës. Ndërsa Liami mendon se ai nuk është evidentuar. Ai thotë se luan, sepse duhet të luajë. Ata diskutojnë se secili nga banorët është duke bërë një strategji dhe kujtojnë situata të ndryshme për ta vënë në dukje këtë gjë.
Ermali, Françeskës: O e bukura ime, po dole ti, unë do të mërzitem shumë
Ermali dhe Françeska ulen në oborr dhe bisedojnë me njëri-tjetrin. Ermali fillon që ta përkëdhelë dhe i thotë “o e bukura ime, unë do të mërzitem shumë nëse t’i do të dalësh javën që vjen”. Ai i afrohet, e puth dhe e përqafon, duke i thënë se ai nuk dëshiron që Françeska të dalë jashtë shtëpisë, ndërsa ajo qesh dhe i thotë “unë nuk kam për të dalë”. Më pas Françeska i thotë se edhe nëse ajo do të dalë, nuk ka pse të mërzitet, sepse ajo do të shkojë në Vlorë, do të takojë familjen dhe gjithë njerëzit e dashur e më pas “Big Brother” mbaron. Të dy fillojnë të hamendësojnë jetën e tyre jashtë, se si do të sillen kundrejt njëri-tjetrit.
Genta e Françi: Po s’e fituam ne, më mirë të fitojë Arbri se Liami
Genta e Françeska vazhdojnë të flasin për finalen dhe nominimet. Françeska e pyet Gentën se çfarë ka thënë Liami për faktin që e nominoi. “Cila ishte arsyeja që më nominoi?”, pyet Françeska, Gentën e ajo i përgjigjet: “Liami nuk e tha arsyen, madje nuk e pranoi që të kishte nominuar”. Vajzat nuk e komentojnë gjatë nominimin, pasi janë paralajmëruar se bisedat për nominimet janë të ndaluara nga rregullorja e “Vëllait të Madh” dhe kjo mund t’i ndëshkojë në çdo moment. Për këtë arsye flasin për Liamin dhe finalen, por pa përmendur nominimet. Ato thonë se ndoshta Liami mund edhe të eliminohet një javë përpara finales. “Këta që thonë se do të shkojnë në finale, mendoj se nuk ia arrijnë”, thotë Genta, ndërsa Françeska shton pas saj se “mendoj se ai dhe Erioni mund të dalin”. Më pas vajzat shprehen se do të donin që të ndodhte kjo, por përsëri dyshojnë se Liami do të jetë finalist dhe ndoshta edhe fitues. Genta thotë “po të mos jemi ne finaliste e fituese, më mirë të fitojë Arbri”, dhe Françeska pohon. Në këtë mënyrë vajzat lënë të kuptohet se nuk duan që çmimin e madh ta fitojë Liami, por nuk shprehin arsyen se përse.
Erioni: Më merr malli për familjen time dhe Tiranën, por jo për Greqinë
Genta, Ermali dhe Erioni bisedojnë me njëri-tjetrin për javën e finales dhe festën që do të bëhet ditën që do të shpallet fituesi. Ai thotë se në festën e tyre do të marrë pjesë edhe stafi. Më vonë ata diskutojnë për rrjetin social “Facebook”, fotot që kanë dhe fotot që do të kenë pasi të dalin, duke shtuar eksperiencën në “Big Brother”. Ata mendojnë për faqet që mund të jenë hapur në emër të tyre, për t’i bërë reklamë. Biseda mes Liamit dhe Erionit vazhdon për minuta të tëra. Liami e pyet Erionin për fëmijërinë e tij dhe për periudhën që ka jetuar në Greqi. Erioni thotë se ka nostalgji për të shkuarën, për familjen e tij dhe për Tiranën. Liami e pyet nëse atë e merr malli për Greqinë, meqenëse ka jetuar për aq shumë vjet, ndërsa Erioni thotë se nuk e merr malli aspak për Greqinë, megjithëse kur ka qenë atje, vinte shumë rrallë në Shqipëri.
Fraçeska, Ermalit: Je bërë i çuditshëm e nevrik këto ditë!
Teksa banorët qëndrojnë në sallon duke bërë biseda të përgjithshme, Françeska ndërhyn duke pyetur Gentën: “Të duket i çuditshëm Ermali këto ditë?” e ajo pohon. Këto diskutime bëhen në prani të Ermalit dhe Françeska thotë se disa kohë ai u bë njeri pozitiv, por tani është afër finales, afër çmimit të madh dhe do të merret me ato të dyja (Françeskën e Gentën), se nuk ka ç’të bëjë tjetër. Ermali qëndron indiferent ndaj këtyre ngacmimeve të vajzave, e vetëm i dëgjon. Françeska vazhdon ta ngacmojë Ermalin dhe i thotë: “Qetësohu Ermali, më mirë do të bëhet, ti do ta fitosh BB”. Ermali qesh dhe Françeska shton se duhet t’i thotë ‘bravo’ për sjelljen e këtyre ditëve, por Ermali i kërkon të pushojë së foluri, pasi do të dëgjojë bisedën e banorëve.
Genta, Ermalit e Erionit: Më trajtoni si fëmijë, ndërsa ju jeni të zgjuarit këtu!
Genta i pyet banorët për disa rroba që ka sistemuar më parë për të gjetur se të kujt janë, e më pas thotë: “Faleminderit që më bëni si kafshë. A duhet patjetër të më trajtoni sikur jam dy vjeç e nuk kuptoj?”, i thotë ajo Ermalit e Erionit. Ermali përgjigjet duke u munduar të shfajësohet e ajo shton: “Vetëm ju jeni të zgjuar e kuptoni”. Genta së fundi, ulet të hajë e Ermali e shikon dhe e pyet nëse do të ngopet me krepa. Genta i kërkon ta lërë të qetë të hajë, ndërsa Ermali më pas shprehet me shaka se ka frikë të flasë nga Genta. Kjo e fundit përgjigjet se në të vërtetë është ajo që ka frikë të bëjë diçka, se Ermali do t’i kundërvihet menjëherë.
Liami: Të parin radhis veten time
Arbri e pyet Liamin se cili nga banorët del i pari nëse në televotim mbeten: Arbri, Liami dhe Ermali. “Të parin vë veten time, ta them sinqerisht, e besoj”, shprehet Liami.
Ai thotë se tashmë çmimin e parë të gjithë e kërkojnë, por në një farë mënyrë është arritje që kanë arritur deri në këtë fazë. “Këtë gjë e ka në dorë një publik i tërë dhe unë kam shumë besim, sepse e di se çfarë kam bërë për këtë lojë”, shprehet Liami.
Liami shton se këtë javë kërkon që të argëtohet dhe jo të debatojë me banorët, madje as me Françeskën dhe Ermalin. Liami tregon se ka dëshiruar shumë që Françeska të ishte në nominim dhe ajo tashmë është. Më pas ai fillon të flasë për Françeskën dhe Ermalin, si dhe lidhjen e tyre. Liami nuk beson në dashurinë midis tyre dhe këtë gjë thotë se e shikon në reagimet e shpeshta të Ermalit kundrejt Françeskës. “Shpesh në vend të Ermalit vendos veten time, për të parë se si mund të reagoja dhe prandaj ia vë në dukje kur ai bërtet”, shprehet Liami.
