“Love, Freddie” është libri më i ri biografik i cili do të publikohet së shpejti. E duket se ende pa dalë në treg, libri po trondit botën e muzikës dhe fansat e Queen. Kjo për shkak se zbulon se Freddie Mercury kishte një vajzë të fshehtë për të cilën publiku nuk kishte asnjë dijeni.
Autorja e njohur, Lesley-Ann Jones, shprehet se vajza ka lindur nga një lidhje e shkurtër dashurie në vitin 1976 me gruan e një miku të ngushtë të Mercury-t.
Sipas Jones, ajo është tashmë 48 vjeçe, jeton në një vend të Evropës dhe punon në sektorin e mjekësisë. Ajo gjithashtu është nënë, gjë që e bën Freddie-n – pas vdekjes – edhe gjysh.
Dëshmia e saj është bërë publike përmes rrëfimit të drejtpërdrejtë në këtë libër, ku tregohet se vetëm rrethi më i ngushtë i Mercury-t – përfshirë prindërit, motrën dhe Mary Austin – e dinin të vërtetën për ekzistencën e saj.
Para se të vdiste në vitin 1991 nga komplikacionet e AIDS-it, Freddie i kishte lënë vajzës si trashëgimi 17 ditarë personalë, të cilët tani janë në duart e autores dhe kanë shërbyer si bazë për biografinë.
Zbulimi i vajzës së fshehtë vjen si një tronditje, pasi gjatë gjithë jetës së tij publike, Mercury nuk kishte lënë të kuptohej se kishte pasardhës.
Marrëdhëniet e tij romantike me gra dhe burra, përfshirë Mary Austin dhe aktoren Barbara Valentin, kanë qenë të njohura, por historia e vajzës kishte mbetur sekret për dekada.
Libri pritet të ngjallë debat dhe emocion në mesin e fansave, duke hapur një faqe të re në historinë personale të një prej ikonave më të mëdha të muzikës rock.