Një burrë ka përfunduar në prangat e policisë pasi dyshohet se është përplasur me portat e përparme të shtëpisë së Jay-Z dhe Beyonce, në East Hampton këtë javë.
Sipas një raporti policor, të marrë nga “Page Six”, një shofer 63-vjeçar është përplasur me portat mekanike teksa drejtonte ‘me një shpejtësi të lartë në hyrje’ dhe ka shkaktuar ‘dëme të konsiderueshme’.
Mediat e huaja shkruajnë se shoferi u arrestua dhe u transportua në spitalin Stony Brook, për të marrë trajtim për plagët e marra.
Gjithashtu bëhet e ditur se mjeti i tij është sekuestruar dhe kanë nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Nuk është e qartë nëse çifti i famshëm ka qenë në banesë në kohën që ka ndodhur incidenti në fjalë.
Oficerja e policisë, Jennifer Dunn, e cila i është përgjigjur ngjarjes, ka thënë për “Page Six” se shoferi i përfshirë në incident nuk ka ndonjë të kaluar kriminale.
Dunn deklaroi se ‘ai dukej i hutuar në vendngjarje dhe pas arrestimit’. Ai gjithashtu nuk bëri asnjë kërcënim, as nuk ‘përmendi emrat e banorëve’.
“Mund të jetë thjesht rastësi. Ndoshta kishte një problem shëndetësor”, ka shtuar Dunn.
Pak para se të ndodhte aksidenti, burri ishte ndalur pranë një shtëpie tjetër dhe kishte pyetur për një grua që nuk jetonte atje.
Ndërkohë personi që jetonte në atë banesë u tha oficerëve të policisë se burri dukej ‘i hutuar’.
Në vendin e ngjarjes nuk u gjet ndonjë arëm apo ‘kërcënim i drejtpërdrejtë’ dhe Dunn deklaroi ‘nuk jemi të sigurt nëse ai e dinte kush jetonte në atë shtëpi’.


