Blogerja e njohur italiane, Chiara Ferragni po përballet me periudhën më të errët të karrierës së saj, pas një skandali bamirësie. Influencuesja ka parë bizneset e saj të rrënohen dhe rrezikun e burgut të bëhet real. Ferragni u përfshi në një fushatë promovuese për tortën Pandoro të kompanisë Balocco. Fushata u paraqit si bamirëse, me pretendimin se një pjesë e fitimeve do të shkonte për spitalin pediatrik “Regina Margherita” në Torino.
Megjithatë, hetimet e gazetares Selvaggia Lucarelli zbuluan se spitali kishte përfituar vetëm një donacion të vetëm prej 54 mijë dollarësh nga Balocco, ndërsa asnjë përqindje e shitjeve dhe asnjë kontribut nga vetë Ferragni nuk ishte dhënë.
Pas shpërthimit të reagimeve publike, Ferragni kërkoi falje dhe njoftoi një donacion personal prej 1.1 milionë dollarësh. Por dëmi tashmë ishte bërë. Partnerë të mëdhenj si Coca-Cola dhe Tod’s ndërprenë bashkëpunimet, dyqani i saj kryesor në Milano u mbyll dhe kompanitë Fenice dhe TBS Crew shënuan rënie drastike të të ardhurave, deri në 94–95%.
Ferragni u paraqit në Pallatin e Drejtësisë në Milano për nisjen e procesit gjyqësor për mashtrim. Ajo pritet të rikthehet në gjykatë në janar 2026, ku do të mësojë vendimin përfundimtar, ndërsa prokuroria ka kërkuar një dënim prej 20 muajsh burg.



