Bournemouth ka nisur një hetim të brendshëm ndaj Aleks Himenez, pasi në rrjetet sociale janë shpërndarë disa materiale që pretendohet se përmbajnë komunikime të papërshtatshme mes futbollistit dhe një vajze 15-vjeçare.

Si pasojë e situatës, mbrojtësi 21-vjeçar nuk do të jetë pjesë e skuadrës në sfidën e ardhshme ndaj Fulhamit në Premier League.

Himenez aktivizohet te Bournemouth në formë huazimi nga Milani, ndërsa klubi anglez ka edhe opsionin për ta blerë përfundimisht kartonin e tij. Në rast se ky opsion nuk ushtrohet, lojtari do të rikthehet te skuadra kuqezi në Itali.

Në reagimin zyrtar, Bournemouth konfirmoi se është në dijeni të përmbajtjeve që po qarkullojnë online dhe se çështja po trajtohet me seriozitet të plotë. Klubi shtoi se, për momentin, nuk do të japë deklarata të tjera mbi rastin.