Miku i ngushtë i Liam Payne, Rogelio Nores, ka mohuar se akuzat se braktisi ish-yllin e “One Direction” disa orë para vdekjes së tij.
Nores, i njohur si ‘Roger’ ka folur ekskluzivisht për “MailOnline”, ku ka mohuar të ishte i dyshuar për vdekjen e 31-vjeçarit. Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se policia kishte bastisur shtëpinë e tij në Buenos Aires.

Deklarata e tij vjen pasi prokurorët argjentinas, që hetojnë vdekjen e këngëtarit të famshëm, konfirmuan arrestimin e tre të dyshuarve të cilët tani janë nën hetim zyrtar.
Një prej tyre raportohet se ishte një ‘mik’ i paidentifikuar i yllit të ndjerë të popit.
Sipas autoriteteve, Nores, i cili shoqëroi Liam Payne ditët para se 31-vjeçari të ndërronte jetë, akuzohet për braktisjen e tij. Gjithashtu akuzohet si bashkëpunëtor në furnizimin e këngëtarit me drogë, të dy krimet dënohen me deri në 15 vjet burgim.
Por, Nores ka mohuar të ketë lidhje me vdekjen e ish-yllit të “One Direction”.
“Unë kurrë nuk e kam braktisur Liam, shkova në hotelin e tij 3 herë atë ditë dhe u largova 40 minuta para se të ndodhte kjo. Kishte mbi 15 persona në hollin e hotelit që bisedonin dhe bënin shaka me të kur u largova”, tha ai, duke shtuar:
“Nuk mund ta imagjinoja kurrë se diçka e tillë do të ndodhte. Unë e kam dhënë deklaratën time në prokurori më 17 tetor si dëshmitar dhe që atëherë nuk kam folur me asnjë oficer policie apo prokuror.
Unë nuk isha menaxheri i Liamit, ai ishte thjesht miku im shumë i dashur dhe ju lutem referojuni e-mailit që i dërgova Liam dhe ekipit të tij më 23 gusht. Jam me të vërtetë zemërthyer për këtë tragjedi dhe shoku im më mungon çdo ditë”.
Dy punonjës të hotelit ku ndodhi tragjedia janë në mesin e 3 personave që tani po hetohen zyrtarisht nga autoritetet në lidhje me vdekjen e Liam, sipas “ABC News”.
Arrestimet vijnë pasi 31-vjeçari vdiq pasi u rrëzua nga një ballkoni i katit të tretë në hotelin CasaSur Palmero në Buenos Aires më 16 tetor.