Ylli norvegjez i Manchester City-t, Erling Haaland, po e kthen garazhin e tij në një muze luksi. Sulmuesi që fiton gati 1 milion paund në javë ka shtuar në koleksionin e tij një tjetër “bishë” me katër rrota – një “Lamborghini Huracán Sterrato” me vlerë 250 mijë paund.

Futbollisti u pa duke dalë nga qendra stërvitore e City-t me makinën jeshile mat, që zhvillon 602 kuaj-fuqi dhe arrin shpejtësinë 0–100 km/h për vetëm 3.4 sekonda. Modeli është një ndër më të rrallët në botë, me vetëm 1,499 njësi të prodhuara nga “Lamborghini”.

Por kjo nuk është “lodra” e tij më e shtrenjtë. Haaland raportohet se është bashkuar me miliarderin, Ole Ertvaag, për të blerë një “Bugatti Tourbillon” prej 4 milionë paundësh – një nga vetëm 250 ekzemplarë në botë. Supermakina hibrid V16 me 1,800 kuaj-fuqi përshpejton nga 0 në 100 km/h për 2 sekonda, ndërsa arrin 200 km/h në vetëm 5 sekonda.

Në total, koleksioni i makinave të Haaland vlerësohet në mbi 8 milionë paund, duke përfshirë edhe një “Ferrari 812 Superfast” (320 mijë £) dhe një kamion “Ford Shelby F-150” (200 mijë £).

Për yllin e City-t, shpenzimet e tilla janë thjesht një shpërblim për suksesin e tij. Pas transferimit nga Borussia Dortmund për 51 milionë paund në vitin 2022, Haaland nënshkroi një kontratë gjigante që e vendosi në majë të listës së futbollistëve më të paguar në Angli – dhe duket se çdo paund po e shijon në mënyrën më të shpejtë të mundshme.