Futbolli i Ugandës është tronditur nga një ngjarje e rëndë. David Owori, mesfushori 27-vjeçar i kombëtares dhe kapiteni i SC Villa, ka ndërruar jetë pasi u sulmua brutalisht nga persona të paidentifikuar në kryeqytetin Kampala. Lajmi u konfirmua nga vetë SC Villa, një nga klubet më të mëdha në Ugandë.

“Klubi i Futbollit SC Villa me keqardhje të thellë konfirmon ndarjen nga jeta të kapitenit të tij, David Owori, pas një sulmi brutal të kryer nga individë të panjohur”, thuhet në deklaratën zyrtare të klubit. Sipas zëdhënësit të SC Villa, Asan Kasingye, futbollisti u sulmua pranë banesës së tij nga persona që dyshohet se synonin ta grabisnin. Ai pësoi plagë të rënda dhe, pavarësisht se u transportua menjëherë në një qendër mjekësore në Kampala, nuk mundi t’u mbijetonte lëndimeve.
Edhe Federata e Futbollit të Ugandës (FUFA) reagoi me një mesazh prekës, duke e cilësuar Owori-n jo vetëm si një futbollist të talentuar, por edhe si një lider dhe frymëzim për brezin e ri. Owori ishte rikthyer te SC Villa në vitin 2023, pas një eksperience dyvjeçare në Evropë, ku luajti me Velez CF në Spanjë dhe Utsiktens BK në Suedi.
Vdekja e tij ka shkaktuar reagime të shumta në Ugandë, ku shumë qytetarë kanë shprehur zemërimin për rritjen e kriminalitetit në rrugët e Kampalas. Parlamenti ugandas mbajti një minutë heshtje në nder të tij, ndërsa nënkryetari Thomas Tayebwa kërkoi hetim të plotë të ngjarjes, drejtësi për familjen dhe masa më të forta për garantimin e sigurisë publike.



