Një futbollist amator në Angli humbi jetën si pasojë e një infeksioni të rëndë, pasi mjekët fillimisht i interpretuan gabim simptomat e tij si inflamacion të bajameve dhe dhimbje të nervit shiatik. Luke Abrahams, 20 vjeç, ndërroi jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Northampton si pasojë e sepsis dhe fasciitit nekrotizues. Ditët para vdekjes, ai ishte ankuar për dhimbje fyti dhe kishte vizituar mjekun e familjes, i cili i përshkroi antibiotikë për tonsilit (inflamacion të bajameve).
Megjithatë, gjendja e tij u përkeqësua shpejt. Abrahams, nga East Hunsbury (Northampton), filloi të kishte vështirësi në lëvizje dhe dhimbje shumë të forta në këmbë. Në këtë fazë u bë një diagnozë e dytë e pasaktë, duke ia atribuar simptomat shiatikut (irritim i nervit shiatik).
Vetëm 12 orë më vonë, familjarët telefonuan shërbimin e emergjencës për shkak të dhimbjeve të padurueshme. Megjithatë, ekipet e ambulancës vendosën se ai nuk kishte nevojë për shtrim spitalor. Dy ditë më pas, i riu u dërgua me urgjencë në spital pasi deklaroi se nuk e përballonte më dhimbjen. Ai ndërroi jetë të nesërmen.



