E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë nutricionistja Anisa Kakija, për të folur më shumë mbi mënyrën tonë të të ushqyerit, cilat ushqime janë të dëmshme, por jo vetëm…

Pjesë nga intervista:

Cili ushqim që konsumojnë shqiptarët konsiderohet i dëmshëm?

Nuk është tek ushqimi në veçanti, sa është te kombinimi i tyre, siç është për shembull kombinimi i mishit dhe brumit. Problemi është te kombinimi, njerëzit hanë mish dhe bukë bashkë. Enzimat që duhen për të tretur mishin, sidomos një mish që është i dhjamosur, është ndryshe nga enzimat që kërkojnë tretjen e ushqimeve që përmbajnë niseshte. Mishi, nëse e konsumojmë dhe është një mish që përmban shumë dhjamë, është mirë të kombinohet me perime të lëngshme, që ta bëjë tretjen më të kollajtë. Një nga arsyet pse disa gjëra bëhen të pashëndetshme në trupin tonë, është jo thjesht për faktin se sa kalori kanë, por se si i kombinon, se sa shumë rrinë në aparatin tretës.

Si ta kuptojmë se çfarë ushqimesh nuk duhen kombinuar?

Merr parasysh që të gjitha gjërat që përmbajnë shumë proteinë dhe dhjamë njëkohësisht, është mirë që të kombinohen vetëm me perime. Nëse po konsumojmë një mish që është pak më i dobët, për shembull një fileto pule, edhe nëse e kombinojmë me niseshte nuk ka ndonjë problem të madh, sepse varet se cilat pjesë të aparatit tretës ti po vë në punë. Mëlçia punon shumë më shumë kur konsumojmë gjëra që përmbajnë dhjamë, lodhet më shumë. Ideja është që t’ia bëjmë të thjeshtë trupit që të tresë ushqimin, nuk është thjesht tek fakti se sa kalori ka një ushqim, ka të bëjë se sa me kollaj tretet, absorbohet dhe metabolizojmë, se ideja është që atë që konsumojmë, ta përdorim për diçka në trupin tonë. /TAR/