Marrëdhënia mes këngëtares argjentinase Tini Stoessel dhe futbollistit Rodrigo De Paul ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes mediatike. Megjithatë, çifti vazhdon të jetë bashkë që prej vitit 2021.
Gjatë Botërorit të Katarit, Tini ishte një nga mbështetëset më të mëdha të De Paul, duke mos humbur asnjë ndeshje të Argjentinës në rrugëtimin historik drejt fitimit të Kupës së Botës. Ajo qëndroi shumë pranë skuadrës kombëtare dhe partnerit të saj në një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së tij.
Së fundmi, Tini ka zbuluar një episod të pazakontë dhe humoristik që ndodhi pas triumfit në Botëror. Sipas saj, pas festimeve të shumta, Rodrigo u kthye në shtëpi i dehur dhe ajo u detyrua të kujdesej për të. “Pas festës së Botërorit, Rodrigo erdhi në shtëpi i dehur. M’u desh të kujdesesha për të si për një fëmijë, sepse nuk pushonte së festuari”, tregoi këngëtarja.
Momenti më i sikletshëm erdhi kur Tini i tha “të dua”, me qëllimin për ta qetësuar. Por përgjigjja e De Paul e la pa fjalë: “Edhe unë të dua, Messi”. Rrëfimi i saj bëri bujë në media dhe rrjete sociale, megjithatë dihet se miqësia mes Lionel Messit dhe Rodrigo De Paul është shumë e fortë. Aktualisht, ata janë edhe shokë skuadre te Inter Miami, ku vazhdojnë të tregojnë lidhjen e veçantë si brenda ashtu edhe jashtë fushës.




