Gazetarët sportivë të televizionit shtetëror italian Rai kanë shpërthyer në protesta pas një sërë gafash të rënda të bëra gjatë transmetimit të ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina. Shkak i reagimit është komentimi i drejtorit të Rai Sport, Paolo Petrecca, i cili sipas gazetarëve ka dëmtuar rëndë imazhin e televizionit publik dhe profesionalizmin e profesionit.
Gjatë ceremonisë hapëse, Petrecca bëri disa gabime që u vunë re menjëherë nga publiku. Ai i përshëndeti shikuesit nga Stadio Olimpico i Romës, ndërkohë që ceremonia po zhvillohej në stadiumin San Siro në Milano. Më pas, ngatërroi aktoren e njohur italiane Matilda De Angelis me këngëtaren amerikane Mariah Carey dhe presidenten e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry, me Laura Mattarella, vajzën e presidentit të Italisë.
Këto gafa u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u kthyer në objekt talljeje dhe kritikash. Vetë Matilda De Angelis reagoi me ironi, duke thënë: “Mariah Carey dhe unë qenkemi i njëjti person”. Ndërkohë, opozita shfrytëzoi rastin për të sulmuar drejtimin e Rai-t, duke theksuar afërsinë e Petrecca-s me qeverinë e djathtë të kryeministres Giorgia Meloni.
CDR, sindikata e brendshme që përfaqëson gazetarët e Rai-t, njoftoi se do të ndërmarrë masa. Këto përfshijnë mosvendosjen e emrave të gazetarëve në materialet që ata prodhojnë për Lojërat Olimpike, si dhe një grevë tre-ditore pas përfundimit të eventit. Në deklaratën e saj, CDR e cilësoi komentimin si “katastrofik” dhe shtoi se për tre ditë me radhë gazetarët janë ndjerë të turpëruar.
Sipas sindikatës, kjo situatë dëmton jo vetëm reputacionin e Rai-t, por edhe besimin e qytetarëve që paguajnë taksën e televizionit publik, si dhe dinjitetin profesional të gazetarëve. Edhe sindikata kombëtare e gazetarëve të Rai-t, Usigrai, e kritikoi ashpër komentimin, duke e quajtur atë të papërshtatshëm. Ndërkohë, politikanë të opozitës pohuan se ky rast është një tjetër shembull i asaj që ata e quajnë ndikim politik i së djathtës në televizionin shtetëror. Deputeti Sandro Ruotolo nga Partia Demokratike e quajti Rai-n “Tele Meloni”, duke e akuzuar për uzurpim politik dhe amatorizëm.
Deri tani, Rai Sport nuk ka dhënë një reagim zyrtar për këtë çështje.




