E ftuar në “Vitality Vibes” me Ilvi Begollin, ka qenë mjekja toksikologe Suela Xhufi. Ajo ka folur më shumë për intoksikimin dhe substancat e dëmshme që janë konstatuar kohët e fundit në frutat dhe perimet që konsumojmë. Çfarë i shkaktojnë ato shëndetit të njeriut?
Përveç ushqimeve, edhe kozmetika ka një ndikim goxha të madh në intoksikimin e trupit të njeriut…
“Thonjtë me xhel, make-up, buzëkuqi, rimeli, boja e flokëve. Madje do të them për bojën e flokëve, në Kinë një vajzë e lyente çdo dy javë dhe kishte bërë hepatit fulminant dhe nuk e kuptonin nga i vinte. Gati sa humbi mëlçinë. Ka shumë gjëra që ndikojnë në organizëm, sepse këto janë toksina, të cilat në momentin që futen në organizëm kanë një efekt toksik te qeliza. Pra shikohen nga makrofagët, që janë elementë që bëjnë eliminimin e pjesëve të dëmtuara ose atyre që nuk duhet të jenë në organizëm, shikohen si elementë inflamues dhe sulmohen.
Por nuk sulmohen ato, sulmohet qeliza që i ka të gëlltitura këto elemente. Dhe detyrimisht ti krijon një inflamacion kronik të vazhdueshëm. Për thonjtë me xhel, në datë 1 shtator 2025, të gjitha xhelet që kanë TPO nuk lejohen më në Bashkimin Europian sepse efekti që ato kanë është dëmtues i sistemit endokrin, pra ndërpresin prodhimin e hormoneve. Edhe furrat me UVA bëjnë dëmtimin e ADN-së qelizore. Unë e kam provuar dhe te vetja, se unë te duart kam vitiligo dhe në momentin që bëja thonjtë, më shtohej vitiligo. Për dy ditë shikoja një përkeqësim të vitiligos, që është një sëmundje autoimune”, tha Suela Xhufi. /TAR/