Gazetarja e njohur e ESPN, Holly Rowe, u detyrua të fshijë një postim në rrjetet sociale pasi ndjekësit vunë re një gabim të sikletshëm në përmbajtjen e tij.

Rowe ka qenë ndër reporteret kryesore që po ndjek nga afër negociatat për marrëveshjen kolektive të punës mes ligës së basketbollit të femrave WNBA dhe sindikatës së lojtarëve WNBPA. Megjithatë, gjatë fundjavës ajo publikoi në platformën X një mesazh që dukej se përmbante një pjesë konfidenciale nga burimi i saj.

Në postimin e saj ajo shkruante: “Vetëm për informacion në sfond, pa më atribuar mua apo ligës, këtu janë disa përditësime”.

Ky fragment bëri që shumë ndjekës të kuptonin se ajo kishte publikuar pa dashje një pjesë të komunikimit privat me burimin e saj. Postimi u fshi rreth një orë më vonë.

Pjesa tjetër e postimit përfshinte disa detaje mbi negociatat që po zhvillohen mes ligës dhe përfaqësuesve të basketbollisteve.

Propozimi më i fundit për sindikatën e lojtarëve parashikon një kufi pagash prej 6.2 milionë dollarësh, më shumë se katër herë më i lartë se ai i vitit 2025.

Sipas ofertës së WNBA, paga mesatare fillestare për një lojtare në vitin e parë do të ishte rreth 570 mijë dollarë dhe do të rritej deri në 850 mijë dollarë në vitin e gjashtë.

Pagat maksimale do të nisnin nga rreth 1.3 milionë dollarë në vitin e parë dhe do të arrinin pothuajse në 2 milionë dollarë në vitet në vijim. Afati fillestar për arritjen e marrëveshjes ishte caktuar më 10 mars, por ai tashmë ka kaluar pa një marrëveshje përfundimtare. Sezoni i ri i WNBA është planifikuar të nisë më 8 maj dhe para kësaj date duhet të zhvillohet edhe drafti i lojtarëve.