Genar Topalli ka vendosur të reagojë për herë të parë në rrjete sociale pas aludimeve të shumta në media për koston e dasmës së tij me moderatoren Cindy Marina, e organizuar më 13 shtator në Romë. Ai theksoi se e gjithë ceremonia është financuar nga ai, bashkëshortja dhe prindërit e saj, të cilët prej vitesh jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara, ku drejtojnë biznese në fushën e transportit dhe sportit.

Në reagimin e tij, Topalli sqaroi se dasma nuk ka arritur shifra të jashtëzakonshme. Ai shtoi se çdo gjë u mendua, u organizua dhe u financua nga çifti dhe prindërit, të cilët prej rreth 30 vitesh kanë ndërtuar biznese të suksesshme në SHBA, me mbi 150 të punësuar. Cindy vetë, përveç angazhimeve të tjera, menaxhon një nga klubet më të mëdha të volejbollit në Kaliforninë Jugore.

Reagimi i plotë i Genar Topallit:

Të dashur miq, familjarë dhe të njohur,

Më 13 shtator 2025 përjetova ditën më të bukur të jetës sime: u kurorëzova me Cindy Marina.

Edhe pse nuk kemi asnjë detyrim të japim shpjegime për jetën private, dua ta bëj këtë reagim për transparencë. Ceremonia u zhvillua në Bazilikën e Shën Marisë, te Altari i Qiejve – një bekim i madh shpirtëror, për të cilin, siç dihet, nuk ka pagesë, por vetëm një donacion simbolik.

Më pas, darka u mbajt në një ambient në Romë, me kosto që nuk kalon shpenzimet e zakonshme të një dasme në Shqipëri (çdokush mund ta verifikojë lehtësisht me një kërkim të thjeshtë në Google). Gjithçka është menduar, organizuar dhe financuar prej meje dhe Cindy-t, me mbështetjen e prindërve të saj.

Ne jetojmë e punojmë në SHBA, ku drejtojmë së bashku biznesin tonë në fushën e transportit, ndërsa Cindy, përveç angazhimeve të tjera, menaxhon një nga klubet më të mëdha të volejbollit në Kaliforninë Jugore, në pronësi të familjes së saj.

Prindërit e Cindy-t jetojnë në SHBA prej afro 30 vitesh dhe sot kanë ndërtuar biznese të suksesshme në fushën e transportit dhe të sportit, me mbi 150 të punësuar.

Ky sqarim bëhet vetëm për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të hedhur poshtë komentet me shifra krejtësisht të pavërteta e spekulative. Falënderoj me zemër të gjithë ju që na uruat në këtë ditë të shenjtë për familjen tonë.

Me respekt,
Genar Topalli