Qeveria franceze ka mbrojtur vendimin për t’i dhënë shtetësinë aktorit të njohur George Clooney dhe gruas së tij, Amal Clooney, duke theksuar se ata janë mirëpritur si qytetarë të rinj në Francë. Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, e njohur si Quai d’Orsay, theksoi se çifti kaloi një proces të detajuar për të marrë shtetësinë, që përfshinte kontrolle të sigurisë, intervista të rregullta dhe pagesa tatimore.

Reagimi i qeverisë erdhi pas një debati publik të nxitur nga lajmi se George dhe Amal, bashkë me binjakët e tyre, Alexander dhe Ella, tani janë shtetas francezë.

Zëvendësministrja e Brendshme, Marie-Pierre Vedrenne, shprehu shqetësim lidhur me mesazhin që mund të dërgohet nga ky vendim, duke ngritur pyetje për mundësitë e standardeve të dyfishta në procesin e dhënies së shtetësisë. Ajo e pranoi se mund të jetë krenare për faktin se Clooney ka aplikuar për shtetësi, por u shpreh e kujdesshme ndaj mesazhit që mund të dërgohej.

Në anën tjetër, ministri i Brendshëm Laurent Nunez vlerësoi dhënien e shtetësisë si një mundësi të madhe për Francën, duke theksuar se ky vendim ishte marrë pas një procesi të kujdesshëm dhe të miratuar nga autoritetet përkatëse. Presidenti amerikan, Donald Trump, komentoi lajmin në platformën e tij Truth Social, duke e quajtur këtë vendim “lajm të mirë”, por shprehu kritikë ndaj aktorëve për qëndrimet e tyre politike.