Georgina Rodriguez ka ndarë me ndjekësit disa nga momentet më të bukura të pushimeve verore me Cristiano Ronaldon dhe djalin e tij të madh, Cristiano Jr. Treshja ka kaluar disa ditë në Mallorca, duke shijuar detin, ushqimin dhe aventurat larg vëmendjes së përditshme.

Përmes një albumi fotografish në Instagram, partnerja e futbollistit tregoi se ky udhëtim është kthyer prej vitesh në një traditë të veçantë vetëm për ta. “Që kur ishte i vogël, ky udhëtim ka qenë koha jonë e veçantë. Babai, mamaja dhe ai, së bashku në det, verë pas vere”, shkroi Georgina.

Në fotografitë e publikuara, Ronaldo, Georgina dhe 16-vjeçari shfaqen duke eksploruar gjire të ndryshme, duke lëvizur me motorë uji dhe duke shijuar gatime me fruta deti e mish të pjekur mbi gur të nxehtë. Georgina tregoi gjithashtu se kishte realizuar një prej dëshirave të saj të hershme, të lahej në një ujëvarë.

Ajo nuk i kurseu fjalët e ëmbla as për Cristiano Jr, të cilin e quajti të talentuar në gjithçka që vendos të bëjë. Edhe pse nuk është nëna e tij biologjike, Georgina e ka rritur si djalin e saj që prej fillimit të marrëdhënies me Ronaldon në vitin 2016. Identiteti i nënës biologjike të Cristiano Jr është mbajtur gjithmonë privat. Ronaldo, i cili ka kujdestarinë e plotë të djalit, ka deklaruar më herët se ai do ta mësojë të vërtetën kur të jetë mjaftueshëm i rritur, por se kjo është një çështje familjare që nuk duhet bërë publike vetëm për të kënaqur kureshtjen e njerëzve.