Aktori francez, Gerard Depardieu, ka konfirmuar se ka bërë kërkesë për pasaportë ruse e cila i është dhuruar gjatë ditës së enjte.
Kanali televiziv rus, One TV, ka raportuar se Derpardieu i ka shkruar një letër të hapur mediave të Rusisë duke thënë se ndihet i “nderuar”, që kërkesa e tij është pranuar pozitivisht nga presidenti Vladimir Putin.
Ai e ka bërë publike dashurinë e tij për Putinin, e cila, sipas tij është e “dyanshme”. Aktori 63 vjeçar thotë se “është mirë të jetosh në Rusi” dhe e përshkruan atë si një “demokraci të madhe”. Ai e ka mbyllur letrën e tij duke shkruar “Le të rrojë Rusia”!
Depardieu është përfshirë në një konflikt të hidhur me autoritetet franceze lidhur me mospagesën e super taksave për të pasurit që aplikohen në shtetin frëng. Presidenti i Francës, Fracois Hollande, kishte propozuar një taksë prej 75 për qind për 1 milion euro pasuri, ndërsa Rusia për të njëjtën shumë të parave e detyron të paguajë taksë me vetëm 13 për qind.
4 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)