Ghostlighting është një kombinim mes ghosting dhe gaslighting: dikush zhduket pa asnjë shpjegim, më pas rikthehet sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe i zhvlerëson ndjenjat e tua. Ekspertët thonë se kjo sjellje mund të jetë emocionalisht e dëmshme, sepse krijon konfuzion dhe dyshime te vetja, ndërsa personi që u zhduk shmang çdo përgjegjësi për atë që bëri.

Mënyra më e mirë për t’u përballur me të është t’i besosh intuitës tënde, të vendosësh kufij dhe të kuptosh se një marrëdhënie e shëndetshme kërkon komunikim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi nga të dyja palët. Një ditë shkëmbeni mesazhe “mirëmëngjesi” dhe bëni plane për fundjavën. Ditën tjetër? Heshtje totale. Ditët kthehen në javë, mesazhet e tua mbeten pa përgjigje dhe ti më në fund pranon se, po, të kanë bërë ghosting.

Pastaj, krejt papritur, të vjen një mesazh në WhatsApp:

“Hej, ku humbe? Si ke qenë?”

Asnjë “më fal”, asnjë shpjegim dhe asnjë pranim të faktit se personi u zhduk. Dhe, akoma më keq, nëse ti guxon ta përmendësh, përgjigjja mund të jetë:

“Po e ekzagjeron. Thjesht kam qenë i/e zënë, nuk është ndonjë gjë kaq e madhe.”

Mirë se erdhe te ghostlighting, termi më i ri i marrëdhënieve që po qarkullon në rrjetet sociale dhe platformat që flasin për takimet romantike.

Çfarë është saktësisht ghostlighting?

Emri vjen nga bashkimi i ghosting dhe gaslighting.

Ghosting ndodh kur dikush ndërpret papritur çdo lloj komunikimi me ty, pa të dhënë asnjë shpjegim.

Gaslighting është një formë manipulimi psikologjik që të shtyn të vësh në dyshim kujtimet, perceptimet apo ndjenjat e tua.

Bashkoji të dyja dhe ke ghostlighting: dikush zhduket, rikthehet pas disa javësh apo muajsh duke u sjellë sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe, kur ti kërkon një shpjegim, të bën të ndihesh sikur je ti që po e ekzagjeron.

Pse ghostlighting të lëndon më shumë?

Sipas ekspertëve të marrëdhënieve, ghostlighting krijon dy plagë emocionale: e para është ndjenja e refuzimit që përjeton kur dikush të injoron.

E dyta vjen kur përvoja dhe ndjenjat e tua zhvlerësohen plotësisht. Në vend që personi të marrë përgjegjësi për zhdukjen e tij, përpiqet ta rishkruajë historinë. Në vend që të marrë përgjegjësi për sjelljen e vet, personi e kalon të gjithë peshën emocionale te ti.

Pse njerëzit e bëjnë këtë?

Ekspertët besojnë se nuk ekziston vetëm një shpjegim. Disa njerëz e kanë të vështirë të përballen me konfliktin dhe preferojnë të zhduken, në vend që të bëjnë një bisedë të pakëndshme.

Të tjerë mund të kenë një stil emocional shmangës, që ua bën të vështirë të përballen me afërsinë emocionale dhe të marrin përgjegjësi brenda një marrëdhënieje.

Edhe aplikacionet e takimeve mund të ndikojnë. Kur alternativa të reja duken vetëm një swipe larg, disa njerëz fillojnë t’i trajtojnë lidhjet si lehtësisht të zëvendësueshme dhe rikthehen te dikush i mëparshëm vetëm kur një mundësi tjetër nuk funksionon.

Sigurisht, derën nuk e mbyllin plotësisht, në rast se mund t’u duhesh përsëri. Dhe kështu rikthehen.