E ftuar në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ka qenë aktorja dhe opinionistja Flutra Gashi, e cila ka bërë një rrëfim emocional për jetën e saj. Ajo ka zbuluar se ka qenë 9-muajshe kur babai i saj është ndarë me nënën dhe kjo e fundit e ka rritur e vetme.

Flutra ka rrëfyer lidhjen e ngushtë me nënën e saj, e cila e rriti dhe e shkolloi pa i munguar asgjë në jetë. Momenti më i vështirë për aktoren ka qenë pikërisht vdekja e nënës së saj.

Pjesë nga intervista:

Bieta: Ti e humbet nënën shumë të re

Flutra: Ajo ka qenë plaga më e madhe në jetën time, ajo ka qenë mos të them tragjedia më e madhe e jetës sime. Isha 22 vjeçe. Kam qenë shumë e lidhur me mamin për shkak të historisë. Ka qenë personazhi kryesor i jetës sime. Ka qenë nëna, babai, vëllai, motra, shoqja e ngushtë. E kam patur shumë të mirë. Sa herë iknim me pushime, kam ikur gjithmonë me mamin për faktin që e kisha shumë shoqe dhe nuk më bënte përshtypje të ikja me shoqe. Kemi punuar bashkë, pasi jam shkolluar gjithmonë kam shkuar te bizneset e saj, te dyqanet.

Mami ka ndërruar jetë në Tiranë, në spitalin Nënë Tereza, ka patur një hemorragji në tru. U bë operacion një herë dhe shkoi me shumë sukses, por gjakderdhja e dytë ia mori jetën. Edhe pse spitali në Tiranë dhe stafi mjekësor kanë dhënë maksimumin e mundshëm, por siç thotë populli ‘kur e ke të shkruar nga Zoti në atë pikë, ajo nuk mundi të luftonte më shumë. Pak për këtë pjesë e urrej rrugën Tiranë-Prishtinë. Kurrë nuk e harroj rrugën kur jam kthyer me nënë e vdekur Tiranë-Prishtinë.

Bieta: Rruga më e gjatë e jetës tënde

Flutra: Aty kam menduar shumë gjëra. Aty jam përballë për herë të parë me frikën e madhe, ça kam me bërë unë. Jo se nuk kisha forcë me ecë para, por kur je mangët me dashuri nuk ke as siguri, nuk të plotëson as karriera, as paraja, asgjë. U ndjeva shumë vetëm. Shumë e re. 6 mujorin e parë e kam patur shumë të vështirë, kam patur shumë ankth, nuk kam dashur të komunikoj me njeri, përveç dajave. Pas 6-muajsh ka filluar me m’u kujtuar se sa të fortë e kam patur nënën, aty e kam marrë forcën. Kam thënë do ja dal, ajo diku më sheh dhe do vazhdoj ta bëj krenare. Inspirimi më i madh në jetë.